Berisha: Po s’u bë mocioni, protestë në Surrel

Edhe e enjtja rezervoi të njëjtin skenar për opozitën, betejë jashtë dhe brenda në Parlament.

Sërish deputetët e përjashtuar nuk u lejuan të marrin pjesë në punimet e kuvendit, teksa kërkuan mbledhjen e byrosë për të ankimuar vendimet e Komisionit të Etikës.

Ky ankim detyron menjëherë Kuvendin të pezullojë vendimin dhe deri në shqyrtimin nga Byroja, deptuetët kanë të drejta të plota për të hyrë pjesë në të gjitha seancat”, tha Bylykbashi.

Por kërkesa e tyre u rrëzua, duke shkaktuar tension brenda në sallë.

Nuk lejohet të pushtosh foltoren, të lutem”, bëri thirrje Felaj.

Mungesa e Kryeministrit në seancë i ndezi edhe më shumë tensionet, madje deputetit Spaho i kushtoi edhe përjashtimin nga seanca plenare.

Kërkesë për përjashtim nga seanca plenare dhe komisionet u mor edhe për dy deputetet Elda Hoti dhe Sorina Koti.

Krahas mocionit me debat, demokratët kërkuan edhe ngritjen e Komisionit Hetimor për atë që e cilësojnë afera McGonigal.

“Sot duhet që ky parlament të hetojë në të drejtën e vet, ka vendime të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bylykbashi.

Ajo kërkesë dyshohet se është e cenuar rëndë sa i takon legjitimitetit sepse të paktën 3 nga firmëtarët dyshohet që të jetë falsifikuar firma.

Pas tensioneve e kaosit në sallë, mazhoranca vendosi që në 2 Mars të zhvillojë mocionin me debate me Kryeministrin të kërkuar nga opozita.

“Do zhvillohen në datën 2 Mars. Kush është dakord me këtë propozim?”, iu drejtua Felaj deputetëve.

Vendimi i Parlamentit e gjeti në protestë Sali Berishën i cili nuk ngurroi t’i japë një mesazh Kryeministrit.

“Le të betohemi këtu në emër të gjithë atyre që përfaqësojmë, që ai mocion po nuk u bë në parlament, do bëhet në Surrel, paqësor”, tha Berisha.

Pas protestës paqësore përpara Parlamentit, nga selia blu Sali Berisha tha se betejën për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij do ta vijojë në 3 Mars me qytetarët në shesh.

“Revolucioni vazhdon! Protesta kombëtare është më 3 Mars, në të cilën bashkohen të gjithë shqiptarët kundër këtij regjimi, që po vjedh pa dallim”.

Protesta e thirrur nga Partia Demokratike në 3 Mars përkon me ditën kur Gjykata e Apelit pritet të marrë vendimin për të ardhmen e Partisë Demokratike.

Tv Klan