“Sot ne ndodhemi në një betejë për jetë a vdekje”.

Kështu e cilësoi aksionin opozitar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimeve me aleatët, kryesinë dhe ish-grupin parlamentar ku u vendos që në 25 Maj opozita të protestojë sërish në Tiranë me kërkesën e vetme, largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e qeverie tranzitore. Pyetjes nëse edhe kjo do të jetë një protestë e dhunshme, Basha iu përgjigj.

“Ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për dhunë dhe distancohemi nga çdo akt dhune, por mos prit që Lulzim Basha të jetë komandanti i baballarëve, që u ka vënë kryqin tek shtëpia Edi Rama, i vëllezërve, motrat 3-vjeçare të të cilëve i ka helmuar me gaz Edi Rama apo i fëmijëve të prindërve që Edi Rama u theu kockat se donte t’u grabiste shtëpitë, që t’u vidhte 40 milionë euro shqiptarëve dhe të mos shpronësonte as banorët e ligjshëm”.

Kreu i demokratëve bëri akuza të rënda edhe për kandidatët e Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale duke i konsideruar të lidhur me krimin.

“Kandidatë të zgjedhur nga banda e Abdylajve në Shijak, nga Ymer Lala në Dibër, ku ka caktuar edhe kandidatin e PS, edhe kandidatin e Bashkimeve Profesionale të PS. Ka dramë më të madhe se sa mediat t’i drejtohen vrasësve me pagesë, si Abedin Oruçi, vrasës me pagesë i Partisë Socialiste, sot kandidat i Bashkimeve Profesionale të Partisë Socialiste, si biznesmen? Vrasës si Ymer Lala, si biznesmen?!”.

Kryetari i Partisë Demokratike tha se në 30 Qershor nuk mund të ketë zgjedhje ndërsa akuzoi kryeministrin se ka një plan për të marrë çdo pushtet në dorë.

Tv Klan