Për më shumë se 2 orë opozita protestoi paqësisht në bulevardin dëshmorët e kombit, ku ndryshe nga herët e tjera nuk u shënua asnjë incident. Kryefjalë e tubimit ishin mesazhet dhe simbolikat kundër qeverisë dhe Kryeministrit Rama.

Sikundër kishte paralajmëruar,Lulzim Basha u shoqërua në protestë nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij. Përpara qytetarëve kreu i opozitës tha se protesta paqësore prishi skenarin e kryeministrit për ta degjeneruar atë në dhunë.

30 Qershorin Basha e cilësoi varrezën politike të kryeministrit Rama, duke paralajmëruar se nuk do të ketë zgjedhje moniste.

“Edi Rama marshon drejt gushtit të shtetit, drejt votimeve pa opozitën, me KQZ të paligjshme, me karta identiteti të paligjshme. Ta dijë mirë Edi Rama se nuk ka zgjedhje më 30 qershor, nuk bëhet asnjë hap pas. Aleanca qytetare është në këmbë, beteja vazhdon qytete më qytet, fshat më fshat, demokracia është në këmbë kundër krimit. Çdo tentativë për të provokuar shqiptarët do të dështojë, ndërsa 30 qershori do të jetë varreza politike e Edi Ramës dhe e rilindjes”.

Basha paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë hap pas nga beteja e nisur me qytetarët e as marrëveshje pa u plotësuar dy kushte:

1.Largimin e Edi Ramës.          

2.Zgjedhje politike pa nxjerrë nga qelitë vëllezërit dhe motrat tona, se janë aty se protestuan për Europën, për Amerikën, pa futur aty ata që vodhën votën, nuk ka zgjidhje politike.

Duke ju referuar publikimeve te gazetës gjermane “Bild”, Basha theksoi se miqtë e  huaj përtej Shqipërisë mbështesin betejën e opozitës.

Pas tubimit në bulevard opozita marshoi për disa minuta përpara parlamentit, për tu mbyllur në selinë blu me një tjetër mesazh të kryedemokratit.

Tv Klan