Ky është Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i veshur me rroba burgu, si i burgosuri i parë në Serbi. Një grup qytetarësh dhe opozita sërish protestuan kundër qeverisjes dhe thanë se nuk duan zgjedhje të kontrolluara, por liri. Porositë për Presidentin serb ishin se nëse vazhdon kështu do të ketë padëgjueshmëri qytetare.

Dy aktorë serbë që kanë qenë në krye të protestave, thonë se Serbia duhet t’i japë fund një herë e mirë diktaturave.

“Qytetarët e këtij shteti prej 30 vjetësh janë të detyruar që drejtësinë dhe lirinë ta kërkojnë në rrugë. Prej 30 vjetësh na quajnë tradhtarë, të paguar, të këqij e armiq të shtetit ata që këtë shtet e kanë okupuar. Kjo duhet të jetë hera e fundit në të kundërtën ky shtet nuk do të ekzistojë”, tha Branko Trifunoviç.

Ndërsa Nikolla Kojo tha se “kjo natë është e shkurtër për të numëruar të gjithë veprat tua që një popull as në ëndërrat më të çmendura nuk do të duhej të përjetoj. Ke vendosur të jesh edhe institucioni edhe drejtësia, por do të mbahesh mend vetëm si diktator.”

Ata shëtitën në rrugët e kryeqytetit duke brohoritur “Vuçiç ik” dhe “Vuçiç hajdut”.

Para televizionit të Serbisë kërkuan takim me krerët pasi, siç thonë, nuk ka më hapësirë. Protesta të vogla janë shtrirë edhe në 15 qytete.

Tv Klan