“Me sloganin o sot , o kurrë opozita protestoi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një datë simbolike për të, që shënon 33-vjetorin e rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha”, raporton gazetarja e Tv Klan, Jolldiz Mitro.

Pa Sali Berishën në bulevard, por me një grup parlamentar të bashkuar, demokratët dhe fronti opozitar protestuan për më shumë se dy orë kundër qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama.

Si asnjëherë më parë, lideri historik i demokratëve u shfaq përmes një videomesazhi nga shtëpia e tij përpara një podiumi, fjala e të cilit u transmetua  përmes monitorëve në bulevard, duke krijuar iluzionin se Sali Berisha ndodhej fizikisht në protestë.

Duke e cilësuar uragan të lirë tubimin e 20 Shkurtit, Berisha paralajmëroi betejë pa kthim, deri në largimin e Edi Ramës, të cilin e krahasoi me diktatorin Hoxha.

“Sot në sheshin Skënderbej, ne nuk kemi shtatoren e bronzit të diktatorit stalinist, por para nesh qendron shtatorja e gjallë e diktatorit Edi Rama, pasardhësit të bllokmenëve hoxhistë, që njëlloj si diktatori tjetër, ka përqendruar në duart e tij të gjitha pushtetet dhe që do një Shqipëri pa opozitë, dhe që vjedh qytetarët shqiptarë, vret shpresën e tyre më shumë se askush në historinë tonë kombëtare”.

Kreun e qeverisë e paralajmëroi se pa votë të lirë, vendi nuk do të ketë stabilitet.

“Pa zgjedhje të lira Shqipëria nuk do të ketë kurrë paqe dhe stabilitet. Beteja jonë pa kthim për votën e lirë është betejë për jetën, ose vdekjen e demokracisë në Shqipëri”.

Bashkimi i demokratëve tha se pamundësoi lënien e vendit pa opozitë, që për të ishin edhe plani i Kryeministrit Rama dhe Lulzim Bashës, të cilin e etiketoi si besëprerë.

“Ju keni 10 vite në opozitë të pamerituar, topitëse, por edhe besëprerë. Bashkimi ynë në diversitet ishte llogaritur të mos ndodhte”.

Qytetarët që iu bashkuan thirrjes së tij për të protestuar i cilësoi heronj, teksa u shpreh se i vetmi hall i tij në këtë betejë pa kthim është pluralizmi politik.

“Sali Berisha është halli më i madh i Ramës, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros! Sot Sali Berisha po lufton për fëmijën e tij, fëmijën që së bashku e sollëm në jetë 33 vite më parë, pluralizmin politik të Shqipërisë”.

Foli për fitore të opozitës dhe një program ekonomik që sipas ish-Kryeministrit synon rimëkëmbjen e vendit përmes rritjes së pagave e pensioneve, si dhe vendosjes së taksës së sheshtë.

Por me mbarimin e fjalës së liderit historik të demokratëve, në drejtim të Kryeministrisë, ku kishte një prani të lartë të forcave të rendit, protestuesit hodhën mjete pirroteknike, si dhe sende të forta.

Nuk munguan as shoqërimet nga policia. Vetëm pak minuta flakë e përplasje mes protestuesve e uniformave blu dhe gjithçka u mbyll paqësisht.



Hidhen flakadanë dhe tymuese drejt Kryeministrisë

Flakadanë dhe tymuese janë hedhur drejt godinës së Kryeministrisë gjatë protestës së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Lëndët piroteknike u hodhën nga protestuesit pas fjalës së Sali Berishës që mbajti nga shtëpia dhe u transmetua përmes një lidhje direkte. Protestuesit kanë rrëzuar edhe gardhin metalik.

Ndërkohë, forca të shtuara policore u vendosën përpara godinës së Kryeministrisë.


“Bashkimi i PD-së e ka futur politikën shqiptare në një epokë të re”, Berisha: Demokracinë e brendshme do e aplikojmë në qeverisjen tonë

Në fjalën e tij në protestën e opozitës, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se bashkimi i Partisë Demokratike e ka futur politikën shqiptare në një epokë të re. I bindur në fitoren e opozitës, Berisha thotë se demokracinë e brendshme do e aplikojnë në qeverisjen e tyre.

Sali Berisha: Është e rëndësishme miq, që midis këtij tymi dezinformimi, ne të kujtojmë shqiptarët pse po luftojmë. Ne po luftojmë sepse e duam Shqipërinë. Po miq, ka njerëz që sot e duan shumë Shqipërinë. Po miq, ka politikanë që sot e duan shumë Shqipërinë. A jemi ne të pagabueshëm? Absolutisht jo. Por kurrsesi nuk jemi si ata. Jo, jo. Po të ishim si ata sot, do ishim në bashkëqeverisje me rilindjen. Po të ishim si ata sot, Brava do vazhdonte në krye të opoziëts false. Po të ishim si ata sot, familjarët tanë nuk do ishin të arrestuar dhe të persekutuar, por do merrnin tendera nga qeveria sepse ky është sistemi që ka ngritur Edi Rama.

Berisha nuk do ishte non-grata dhe as në arrest shtëpie. Por ne së bashku ne zgjodhëm më të vështirën, sepse ne e duam Shqipërinë. Shqipërinë nuk e bëjnë tradhtarët, Shqipërinë e bëjnë njerëzit e ndershëm, nuk e bëjnë kurrë ata që e vjedhin atë. Ne sot luftojmë për Shqipërinë, luftojmë për dinjitetin e shqiptarëve, por kryesorja ne po luftojmë për të ardhmen në Europë të rinisë shqiptare. Zonja dhe zotërinj, shpopullimi është kërcënimi më ekzistencal për kombin tonë në historinë tonë mijëravjeçare. Kanë ikur 1 milion shqiptarë në 10 vite. 87 përqind e atyre që kanë mbetur, e kanë mendjen të ikin.

Me këto ritme, Shqipëria do mbetet pa shqiptarë. Kjo do sjellë humbjen e saj, të traditave tonë, gjuhës, flamurit tonë. Prandaj miq, përballë këtij kërcënimi, i bëj thirrje çdo shqiptari sot të mos shohë veten si demokrat, si socialist, por vetëm si shqiptar. Sepse pikë së pari, ne jemi shqiptarë e pastaj jemi demokratë, socialistë apo pa parti. Dhe shembullin më të mirë për të dalë mbi veten tonë, e ka dhënë PD, duke shembur tabunë më të rëndë të trashëguar nga komunizmi, tabunë e politikës së konfliktit, tabunë se nëse nuk je me mua, je armiku im.

Atë tabu që sot e ka kthyer PS-në në një organizatë kriminale të Rilindjes. Atë tabu që sot burgos liderin e opozitës sepse e di se nëse ai është i lirë, ti e di se nuk fiton kurrë zgjedhje më. Dhe harroje Edi Rama se do fitosh më zgjedhje në Shqipëri. Zonja dhe zotërinj, bashkimi i PD e ka futur politikën shqiptare në një epokë të re. Ne faktuam me bashkimin tonë se demokracia jonë e brendshme është e njëjtë me partitë e mëdha bashkëkohore, të cilat i kemi frymëzim.

Është ky unitet në diversitet që shqiptarët nuk e kishin arritur njëherë në 33 vite. Është ky unitet në diversitet, dhurata më e çmuar e PD për shqiptarët. Është kjo demokraci e brendshme që do e aplikojmë në qeverisjen tonë. Prandaj kjo qeverisje, do jetë më e shkëlqyera që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Prandaj dhe kjo qeverisje do shpëtojë pluralizmin. Prandaj dhe kjo qeverisje do shpëtojë demokracinë. Prandaj dhe kjo qeverisje do ripopullojë Shqipërinë.


Berisha: Shqiptarëve do u kthejmë votën e lirë. Duhet të dalim sa më shpejt nga situata katastrofale të krijuar nga Edi Rama dhe për këtë, kemi një program

Sali Berisha: Motoja jonë në qeverisje nuk do jetë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, por do jetë ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’. Si do e arrijmë ne këtë? Cili do jetë programi i PD? Një pyetje shumë e drejtë. Programi i PD është bazuar në një koncept të thjeshtë, tërësisht inovator. Zonja dhe zotërinj, të dashur miq! Përpara ne kemi problematika shumë komplekse, të vështira, të krijuara nga regjimi i Edi Ramës. Këto probleme janë politike. Shqiptarët nuk votojnë, pluralizmi politik është në agoni, janë ekonomike, 10 vite korrupsion, vjedhje dhe grabitje të shqiptarëve, kanë rrënuar financat e shtetit dhe të qytetarëve. Korrupsioni është kthyer në sinonim të qeverisë. Ne përballemi sot me katastrofën e shkatërrimit, janë një sërë kushtesh të kalkuluara që detyrojnë shqiptarët të largohen nga Shqipëria.

Sot nuk ka më ëndërr shqiptare, ëndërr që ka bërë dhe do të bëjë Shqipërinë. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate emergjente, pothuajse katastrofale të krijuar nga Edi Rama. Për këtë ne kemi një program, i cili mund të përmblidhet në dy fjali; Program që bazohet, investim tek qytetari, program që bazohet në zbatimin e ligjit, program që bazohet në liritë e qytetarit, garantimin e dhe respektimin e tyre.  Me shpejtësi dhe brenda një mandati ne do të ja dalim të dyfishojmë rrogat, pensionet, të vendosim minimumin jetik që të mos ketë më lot mjerimi në sytë e shqiptarëve. Pasi të nxjerrim shqiptarët aty ku ishin, në krye të rajonit për rroga dhe pensione. Pasi të ulim taksën e sheshtë ne 10%, do të ecim të sigurtë drejt mesatares së rrogës në BE.

Ku do ti gjejmë këto para? Më thoni mua. Këto para janë të gjitha, nuk janë as 40% të atyre që vjedh rilindja duke ndërtuar rrugë me 10-15 fishin e çmimit që ndërtohen në Europë. Që vjedh rilindja me djegësat, sterilizatorët, PPP-të, luksin e shfrenuar. Miqtë e mi!  Rrogat e trefishta nuk janë fantazi, utopi, janë rrogat që duhej të kishit ju sot, duhej të kishin shqiptarët sot nëse nuk do të ishin vjedhur në mënyrë më të papërmbajtur. Kështu që ne e nisim me investimin tek shqiptari, duke besuar në aftësitë e tij, duke besuar se paratë në kontot e tij janë më të vlefshme se në kontot e shtetit.

Të dashur miq! Në rast se ndalemi në dramën 10 vjeçare të Shqipërisë, një nga dramat më të mëdha që ka njohur Europa, një vend i cili nga vendi në krye i rajonit për rrogat dhe pensionet, zbriti në mënyrë të rrufeshme në fund. Një vend i cili rritej në popullatë nga vitit në vit, humbi gjatë këtyre 8 viteve të fundit, më shumë se çdo vend tjetër i planetit, në luftëra, konflikte apo fatkeqësi natyrore.  Më shumë se çdo vend tjetër në çdo luftë botërore, dhe askush nuk ndalet, bëjnë sikur nuk ka ndodhur.  Jo miqtë e mi, Shqipëria është tokë e bekuar.

Në të gjithë kontinentin, nga Mesdheu në detërat e veriut nuk gjenden kund 28 mijë kilometra katrorë që të kenë pasuritë përrallore që ka toka shqiptare. Por Edi Rama, ky Pashiq i Tiranës, kreu një gjenocid të vërtetë, me arrestimet e tij, me dhjetëra mijëra në vit për çështje civile, me shkatërrimin e banesave dhe bizneseve, i trajtojnë shqiptarët si pushtues i egër. U vrau atyre shpresën në çdo votër, duke u rrëmbyer votën, kontrolluar vullnetin njëlloj si në diktaturën hoxhiste. Demokratë e demokrate!  Sot ne nisëm betejën para së gjithash dhe mbi të gjitha të mosbindjes civile për votën e lirë.  Pa zgjedhje të lira Shqipëria nuk do të ketë kurrë paqe dhe stabilitet. Beteja jonë pa kthim për votën e lirë është betejë për jetën, ose vdekjen e demokracisë në Shqipëri. Ne do të fitojmë.  Beteja jonë pa kthim për votën e lirë është betejë për dinjitetin tonë njerëzor, vota e lirë është thelbi i lirive tona. Ne do të fitojmë. Beteja jonë pa kthim për votën e lirë është betejë për dinjitetin kombëtar.Vota e lirë është dallimi themelor mes kombeve të lira dhe kombeve të shtypura. Shqiptarëve do u kthejmë votën e lirë. Ne do të fitojmë.  Beteja jonë pa kthim është betejë për votën e lirë, sepse është kushti i të gjitha kushteve për vendosjen e shtetit ligjor, garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ne do të fitojmë. Beteja jonë pa kthim është betejë për votën e lirë, sepse është kushti më kryesor për rikthimin e shpresës tek shqiptarët. Ne do të fitojmë. Beteja jonë pa kthim është betejë për votën e lirë, sepse vota e lirë është çelësi kryesor për hapjen e dyerve të mbyllura të Europës për Shqipërinë. Ne do të fitojmë. Beteja jonë pa kthim është betejë për votën e lirë, sepse është kushti i të gjitha kushteve për fitoren e opozitës. Rrofshi ju,  Rroftë Partia Demokratike,  Rroftë opozita, Rroftë Shqipëria,  Zoti e bekoftë Shqipërinë, flamurin, kombin shqiptar.Fitore, fitore, fitore.


Ish-kryeministri: Sali Berisha po lufton për fëmijën e tij që e sollëm në jetë 33 vite më parë, pluralizmin politik

Nga protesta e opozitës ku është shfaqur nëpërmjet një monitori, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se ai është halli më i madh i Kryeministrit Edi Rama. Kryedemokrati Berisha ka shtuar gjatë fjalës së tij se ai nuk po lufton për fëmijët e tij biologjikë, por për pluralizimin politik. 

Sali Berisha: Prandaj PD sot ka fituar sepse sot kur shqiptarët na shohin bashkë, pas gjithë brutalitetit që na është bërë, kur shqiptarët na shohin bashkë pas konflikteve tona të brendshme, kur shqiptarët na shohin bashkë kaq shumë në numër, besimi rikthehet në çdo shtëpi, në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo fshat, në çdo qytet. Por më e rëndësishmja, besimi rikthehet në zemrat e çdo shqiptari, në zemrat e atyre 83 përqind të shqiptarëve që gjer sot shikonin si mundësi largimin nga Shqipëria. Besimi u kthehet atyre shqiptarëve që nuk shtyjnë dot muajin, që nuk mbushin dot shportat me ushqimet më jetike, atyre shqiptarëve që nuk sigurojnë dot ilaçet e tyre, atyre që shohin fëmijët t’u rriten në mjediset më të këqija, që shohin antivlerat që kanë zëvendësuar traditat tona, që shohin shqiptarin e sotëm të ushqehet më veset më të këqija të qenies njerëzore. Ju sot u bëtë shqiptarëve dhuratën më të çmuar, dhuratën e besimit, dhuratën e shpresës.

Por më e rëndësishmja, dhuratën e fitores, sepse PD dhe opozita sot është e pandalshme, është gati dhe në këmbë. Me këtë besim që ngjallëm sot, ne ndryshuam rrugën e fatit. Ne sot kemi rrugën e fitores. Rruga e fatit të Shqipërisë, nga sot ndryshoi. Nga rruga e shpopullimit, Shqipëria është sot në rrugën e shpëtimit. Kjo është forca e besimit. Me këtë forcë u rrëzua shtatorja e diktatorit. Me këtë forcë rrëzohen shtatoret e tyre të gjalla. Me këtë forcë rezistohet çdo sulm. Me këtë forcë fitohet në çdo zgjedhje. Miq, përfitoj nga atmosfera elektrizuese për t’i kujtuar çdo shqiptari se pse ne jemi në këtë shesh, pse ne po luftojmë? Për këtë duhet t’u them se pas këtij uragani lemeritës dhe të frikshëm për aleancën e qelbësirave, megafonët e tyre do të ushtojnë në të katër anët, të dezinformojnë, të shpifin, të shprehen se ju po luftoni për hallet e Sali Berishës. Kur në fakt edhe njeriu me naiv e kupton se të ashtuquajturat halle të Berishës, janë vetëm sulme politike ndaj meje dhe ndaj jush.

Cilat halle ka Berisha? Ato halle që u shfaqën 10 vite pas ishte pa asnjë pushtet? Ato halle që unë denoncova projektet e serbomadhisë dhe rusomadhisë në rajon? Ato halle që unë denoncova çdo ditë vjedhjet më të mëdha të Edi Ramës? Ato fakte që unë denoncova lidhjet e tmerrshme të pushtetit me krimin. Ato fakte që nisën çuditërisht që unë kundërshtova bashkëqeverisjen e PD me aleancën e qeblësirave, me Rilindjen. Jo miq, Sali Berisha nuk ka halle. Por Sali Berisha është halli më i madh i Edi Ramës dhe miqve të tij, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros dhe mafies ndërkombëtare. Prandaj dhe jam sulmuar politikisht. Sepse sot unë luftoj njëlloj si ju për opozitën e vërtetë, për dinjitetin e shqiptarëve. Luftoj kundër korrupsionit dhe për interesin kombëtar. Nesër do ju thonë se po luftoni për fëmijët e Berishës, kur në fakt njeriu më naiv e kupton se familja ime është goditur pikërisht se unë zgjodha të luftoj për shqiptarët. Dhe harrojnë mjeranët, se fëmijët e Sali Berishës janë fëmijët e shqiptarit. Ç’është e vërteta miq, Sali Berisha po lufton për një nga fëmijët e tij, por kësaj radhe jo për fëmijët biologjikë. Sot Sali Berisha po lufton për fëmijën e tij, fëmijën që së bashku e sollëm në jetë 33 vite më parë, pluralizmin politik.


Berisha: Ne inaugurojmë sot misionin tonë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë

Nga banesa e tij, kryedemokrati Sali Berisha është bërë pjesë e protesës së opozitës duke u shfaqur në një nga monitorët kryesorë të vendosur në foltore. Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se sot është një ditë që shënon nisjen e betejës pa kthim kundër diktaturës për atë që e ka quajtur “beteja për çlirimin e Shqipërisë nga narkodiktatura e Ramës”.

Sali Berisha:Të dashur miq, këto dy vite ju zgjodhët të vështirën, zgjodhët të pamundurën, zgjodhët Davidin në betejën me Golian, vetëm e vetëm se pse ju besoni te e vërteta. Ju keni 10 vite në opozitë të pamerituar, topitëse, por edhe besëprerë. Ju keni fëmijë, ju keni 1001 derte dhe halle, me punë dhe pa punë, me para dhe pa para, të sëmurë, me ilaçe dhe pa ilaçe. Të gjithë ju në një moment kritik për kombin, ju zgjodhët të mbronit të vërtetën, bindjet e ndershme tuajat. Në një skenar të Edi Ramës dhe mafies ndërkombëtare, që synonte të asgjësonte opozitën e vërtetë, ju vendosët të sakrifikonit interesat personale dhe të luftoni me gjoks, ballëlartë për të vërtetën. Të bindur se kjo ishte rruga për të mbrojtur dinjitetin tuaj, për të mbrojtur opozitën, sovranitetin, pluralizmin, interesin kombëtar, të ardhmen e Shqipërisë. Ju jeni heronjtë e vërtetë. Nderim paçi gjithmonë. Shqipërinë e ndërtojnë shqiptarët dhe jo tradhtarët! Miqtë e mi, për ju Shqipëria moniste është e shkuara e zezë e saj, kurse korrupsioni i qeverisë është armiku më i pamëshirë, më i rrezikshëm për ju dhe për të gjithë shqiptarët. Dhe siç është faktuar tashmë, korrupsioni i Edi Ramës është rrezik real edhe për miqtë dhe partnerët tanë kudo në botë. Të dashur miq, duhet të kuptoni se sot është një ditë e shënuar për PD-në dhe jo vetëm. Sot është një ditë e shënuar për demokracinë. Sot është një ditë e shënuar për fatin e Shqipërisë. Ndaj e nisa fjalën time duke thënë se ky 20 Shkurt është edhe më i rëndësishëm se 20 Shkurti i rrëzimit të shtatores së diktatorit. Sepse ne inaugurojmë sot misionin tonë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Betejën për çlirimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura e shëmtuar e Edi Ramës. Ne inaugurojmë betejën popullore pa kthim për rikthimin e votës së lirë dhe çeljen e dyerve të integrimit evropian të Shqipërisë, të mbyllura nga regjimi i Tiranës.

20 Shkurtin 2024, Berisha e quan rikthim të opozitës në betejën pa kthim. Gjatë fjalës së tij, Berisha thotë se me protesën e opozitës, rikthehet besimi në zemrat e çdo shqiptari.

Sali Berisha: Ne në këtë protestë uragan përcjellim mesazhin për botën se populli opozitar do i rezervojë diktaturës së dytë, dmth narkoshtetin të Edi Ramës, fatin që meriton, fatin që i rezervuam diktaturës komuniste 33 vite më parë. Të dashur miq, ju jeni heronj të vërtetë të pluralizmit, sepse në ditët më të zeza për opozitën shqiptare, ju nuk u dorëzuat. Pasi u vodhën vulën, logon e partisë, ju ndaluan emrin e kryetarit të partisë në fletën e votimit, 600 mijë prej jush, nxorët përpara gjokset shantazhit dhe presionit të narkoregjimit, por edhe mafies ndërkombëtare, dhe thanë jemi të pamposhtur. Nderimi paçin gjithmonë mbështetësit tonë!


“Sot para nesh qëndron shtatorja e gjallë e diktatorit Edi Rama”, Berisha: Luftuan që Shqipëria të mos kishte opozitë

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij nga shtëpia në protestën e organizuar ditën e sotme para Kryeministrisë ku u shpreh se, “sot para nesh qëndron shtatorja e gjallë e diktatorit Edi Rama”.

Berisha gjatë fjalës së tij tha se sot, për herë të parë në 32 vite, në këtë 20 shkurtnuk kemi përpara simbolet e një diktature të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por vendi po përballet me një lloj të re diktature, e cila bazohet në aleancën e pushtetit me krimin.

Sali Berisha: Të dashur qytetare dhe qytetarë, të nderuar qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë. Zonja dhe zotërinj, uragani juaj sonte është uragani i lirisë. Përshëndetjet më të përzemërta për ju që jeni mbledhur, keni mbushur sot Tiranën nga anekënd Shqipëria, nga të gjitha vendet e botës. Fitimtarë, fitimtarë, fitimtarë. Zonja dhe zotërinj, 20 shkurti është një ditë në të cilën shqiptarët kremtojnë ngadhënjimin e tyre.

Çdo vit më 20 shkurt kemi nderuar një ditë, e cila ndau historinë tonë. Ndau epokën e barbarisë së luftës së klasës, tiranisë së mjerimit dhe izolimit ekstrem nga epoka e triumfit të njerëzve më të shtypur të Europës dhe ndëshkimit mbarëpopullor pas vdekjes së Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore. Duke përmbysur në Tiranë shtatoren e tij, zvarritur e copëtuar në rrugët e kryeqytetit, nderim përjetë guximtarëve, trimave, heronjve të 20 shkurtit për veprën e tyre të pavdekshme.

Por sot, për herë të pare në 32 vite, ky 20 shkurt eklipson për nga rëndësia atë të vitit 1991 sepse sot nuk kemi përpara simbolet e një diktature të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por përballemi me një lloj të re diktature, e cila bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, në shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë, vjedhjen e lemerishme të qytetarëve nga pushtetarët dhe trafikun e qindra tonelatave drogë dhe narkoeuro.

Gjithashtu në fjalën e tij ish-Kryeministri akuzoi qeverinë Rama për largimin e 1 milion shqiptarëve ku u shpreh se integrimi evropian i vendit u shndërrua në një horizont që largohet çdo ditë e më shumë nga shqiptarët.

Sali Berisha: Sot në sheshin Skënderbej ne nuk kemi shtatoren e bronzit të diktatorit stalinist, por para nesh qëndron shtatorja e gjallë e diktatorit Edi Rama, pasardhësit të bllokmenëve hoxhistë, që njëlloj si diktatori tjetër, ka përqendruar në duart e tij të gjitha pushtetet dhe që do një Shqipëri pa opozitë, dhe që vjedh qytetarët shqiptarë, vret shpresën e tyre më shumë se askush në historinë tonë kombëtarë. Gjatë sundimit 10-vjeçar të tij, si kurrë ndonjëherë më parë, 1 milion shqiptarë u larguan nga Shqipëria dhe integrimi evropian i vendit u shndërrua në një horizont që largohet çdo ditë e më shumë nga shqiptarët. Por sot kjo ditë, për ju, për shqiptarët, është ditë besimi dhe guximi.

Le ta pranojmë miq. Fjala që unë po mbaj tani para jush ishte llogaritur që të mos mbahej. Ky uragan madhështor që ka pushtuar Tiranën, ishte llogaritur që të mos ndodhte. Bashkimi ynë në diversitet ishte llogaritur të mos ndodhte. Dhe Shqipëria ishte llogaritur që sot, në vitin 2024, të ishte një vend pa opozitë. Jo një kështjellë e socializmit si dikur, por një narkoshtet pa opozitë në brigjet e kaltërta të Adriatikut. Zonja dhe zotërinj e nisën kundër nesh bashkë këtë betejë dy vite me parë me dy fjalë famëzeza që përdorën si plumba kundër opozitës shqiptare, non-grata, një term i përdorur në të njëjtën mënyrë si dikur, armik i popullit. Menduan se do na asgjësonin. Asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument. Por gabuan! Sot pas tre vitesh hetime intensive në Shqipëri dhe kudo në botë, nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, apo dokument të provojë akuzën e tyre të rreme. Kurse vetëm katër ditë më parë, gjykata e Uashingtonit dënoi me 3 vjet burg McGonigalin, një lobist i korruptuar shpalljes time non-grata nga Edi Rama. Fill pas kësaj na grabitën vulën e partisë, ndonëse dy palë zgjedhje, tre votëbesime ju kishit shprehur vullnetin tuaj. E ndaluan emrin e Sali Berishës në fletën e votimit. Na mohuan financat, na mohuan komisionerët në qendrat e votimit. Qeveria, mediat më të fuqishme, diplomatë dhe ambasadorë të korruptuar nga narkoqeveria u frynë qëllimisht zjarrit të përçarjes dhe konfliktit midis nesh.

Ndër të tjera Berisha ka përmendur edhe rastin e Rusisë ku ka paralelizuar arrestimin e tij me atë të liderit të opozitës ruse.

Sali Berisha: Dhe së fundmi, njësoj si në Rusinë e Putinit, lideri i opozitës u arrestua si person nën hetim dhe u tentua t’i ndalohej fjala e lirë. Të gjitha këto vetëm e vetëm se ai, në mbrojtje të interesit publik dhe kombëtar, denoncoi fuqishëm korrupsionin qeveritar dhe atë ndërkombëtar. Denoncoi korrupsionin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij si armikun më të egër të qenies së qytetarëve shqiptarë. Të gjitha këto vetëm e vetëm pse ai mbrojti i palëkundur interesin e kombit shqiptar, denoncoi projektet antishqiptare, por edhe antieuropiane, serbo-ruse, të Aleksandër Vuçiçit, argatit të tij Edi Rama, të mbështetura fuqimisht nga Sergej Lavrov, por jo më pak edhe nga Aleksandër Soros.

Berisha gjithashtu tha se: Dhe në fakt, për të gjitha këto sot, ne nuk duhej të ekzistonim politikisht. Por ne fituam miq!E gjithë kjo luftë kundër nesh u bë që sot ne të ishim të përçarë, të ishim të shtrirë përtokë, që sot ne të mos ishim këtu. Që Shqipëria sot të mos kishte opozitë. Por ne realizuam të pamundurën, ne realizuam atë që nuk e parashikonte asnjë njeri. Asnjë opozitë në planet nuk do ekzistonte pas sulmeve barbare që u bënë ndaj ndesh. Siç nuk ekziston opozitë në Rusi, Bjellorusi, Iran apo Uganda ku janë marrë masa të të njëjta si këto kundër nesh. Ndaj dhe ju vini sot në këtë shesh si heronj. Po, po. Si heronj të të vërtetës, heronj të guximit dhe dinjitetit njerëzor. heronj të pluralizmit, heronj të antikorrupsionit, heronj të atdhetarizmit. Ju vini si heronj të betejave të fituara.Nder paçi gjithmonë!


Gazmend Bardhi: Bashkimi ynë, na jep kurajo për t’u bërë forca udhëheqëse e vendit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës të mbajtur përpara Kryeminstrisë u shpreh se opozita po përpiqet të ndërtojë një shtet që respekton dhe nuk shkel të drejtat e qytetarëve.

Bardhi tha ndër të tjera se në këto 10 vite, Edi Rama ka përdorur metoda antidemokratike për të qëndruar në pushtet dhe për të shuar zërin e protestës.

Gazmend Bardhi: Sot në këtë shesh liria ka emrin e secilit prej jush. Ne jemi sot këtu për të thënë se nuk dorëzohemi! Se nuk e falim lirinë tonë! Se refuzojmë një demokraci fasadë! Ne duam të ndërtojmë një shtet që respekton dhe nuk shkel të drejtat e qytetarëve! Që nuk ushtron pushtetin për të blerë, përçarë dhe shpërbërë opozitën! Ne duam një qeveri që punon për të pasuruar shqiptarët dhe jo pushtetarët! Duam një qeveri të përkushtuar ndaj rinisë, jo të lidhur kokë e këmbë me krimin dhe oligarkët, që kanë zhdukur ekonominë e lirë, sipërmarrjen e ndershme, që sjell zhvillim të vërtetë! Sot, ne vërtetë jemi në opozitë. Vërtetë kemi kaluar momente të vështira, ndonjëherë jo të denja për të qenë në lartësinë tuaj, të dashur demokratë dhe qytetarë! Por ne sot kemi me vete pasurinë më të madhe që mund të ketë një forcë politike opozitare: ne kemi me vete kurajon tuaj! Kemi dinjitetin tuaj! Kemi dëshirën tuaj për të luftuar dhe vullnetin tuaj për të fituar! Ju të gjithë ketu jeni pasuria më e madhe që ka Shqipëria! Që mbani gjallë frymën e lirisë! Që nuk dorëzoheni! Që frymëzoni me qindra e mijëra shqiptarë të tjerë brenda dhe jashtë vendit!

Sot, të gjithë shqiptarët e ndershëm janë krah jush me mendje e zemër! Ata që nuk janë këtu, ju shohin, ju mbështesin dhe duan të jenë si ju! Ju ishit arsyeja dhe frymëzimi ynë për t’u bashkuar dhe jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën për Partinë Demokratike! Për opozitën! Për shqiptarët dhe Shqipërinë! Sot ne jemi bërë të gjithë bashkë, si e vetmja rrugë, si e vetmja mundësi për t’u përballur me të keqen. Në këto 10 vite ne e kemi provuar se e keqja e vendit ka emrin e kryeministrit të Shqipërisë, aleatit kryesor të krimit, që po shkatërron para syve tanë të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve shqiptare, të ardhmen e vendit. Përtej fasadës, përtej propagandës së qeverisë, janë dy botë të ndryshme, të destinuara të qëndrojmë përballë njëra-tjetës. Njëra është bota juaj, bota jonë, bota e njerëzve të lirë të këtij vendi që nuk dorëzohen! Që duan ndryshimin, që e duan Shqipërinë një vend të zhvilluar, vendin e mundësive të barabarta për të gjithë. Përballë nesh qëndron Edi Rama në botën e tij, që mbjell vetëm korrupsion, krim, varfëri, pabarazi, shpopullim.

Më këto 10 vjet, Edi Rama ka përdorur metoda antidemokratike për të qëndruar në pushtet, për të përhapur frikë, për të shuar zërin e protestës. Por ju sot jeni prova më e madhe se ai ka dështuar. Ne nuk kemi frikë! Ne dimë dhe duam të përballemi. Kjo është një luftë e pabarabartë, por ne nuk dorëzohemi! Sepse ne nuk i dorëzojmë lirinë tonë as Edi Ramës, as askujt! 1/4 e shqiptarëve jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Gjithashtu gjatë fjalës së tij, Bardhi u shpreh se vendi ynë po jeton në kaos dhe se nuk janë kullat ata që na tregojnë sa mirë jemi.

Gazmend Bardhi: Gati gjysma e popullsisë rrezikon të jetë e varfër. Ata që kanë një punë të mirë, po mbyten me taksa. Në një dekadë, Shqipëria është kthyer në një parcelë të madhe që i shërben pasurimit të pak njerëzve, të lidhur me pushtetin. Pasurimit të padrejtë, me korrupsion, me zhvatjen e pasurive kombëtare, duke varfëruar pjesën tjetër. Vendi ynë po jeton në ketë kaos të madh, pa asnjë perspektivë të mirë. Nuk janë kullat ato që na tregojnë sa mirë jemi. Shumë prej tyre janë pastrim parash të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me ortakë të fshehur nga qeveria. Afera skandaloze e inceneratorëve na tregoi se sa e korruptuar është kjo qeveri. Se asgjë nuk ecën përpara, nëse nuk bëhen pjesë e fitimit Edi Rama apo Erion Veliaj.

Me korrupsionin e tyre, ata zhbëjnë çdo ditë mundësitë për rininë. Zhbëjnë shpresat e prindërve për fëmijët. Zhbëjnë ëndrrat për rritjen e mirëqenies së çdo familje që jeton me punë të ndershme. A duhet ne të rrime kokëulur dhe të pranojmë fatin që Edi Rama shkruan për ne? Kurrë!  Prania juaj sot është mesazhi më i mirë për çdo shqiptar! Me kokën lart të gjithë! Ne reagojmë! Ne nuk nënshtrohemi! Ne refuzojmë padrejtësitë! Ne refuzojmë të bëhemi fasadë e pushtetit të Edi Ramës!

Prandaj ne po luftojmë pa u dorëzuar! Reagimi juaj sot është lajmi më i mirë për çdo shqiptar! Është shpresa se gjërat mund të ndryshojnë dhe do të ndryshojnë. Vetëm Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar është përgjigja për ëndrrat, për shpresat për aspiratat e shqiptarëve!

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, theksoi gjatë fjalës së tij se bashkimi i sotëm jep kurajo për të përmirësuar veten dhe për të forcuar opozitën dhe për t’u bërë forca udhëheqëse e vendit.

Gazmend Bardhi: Të dashur qytetarë! Bashkimi ynë i sotëm na jep kurajo për të përmirësuar veten, për të forcuar opozitën, për t’u bërë forca udhëheqëse e vendit me besimin e shumicës absolute të shqiptarëve. Është vetëm në dorën tonë, në dorën e mijëra të tjerëve që do dëshironin të ishin sot këtu me ju, që Shqipëria të ndryshojë, është vetëm në dorën tonë që të rikthejmë shpresën që gjërat mund të bëhen më mirë. Me ju dhe mijëra të tjerë si ju ne do t’ia dalim.

Të gjithë bashkë, kështu si sot, ne duhet të trokasim në çdo derë, në çdo zemër shqiptari për t’i shpjeguar se ka një rrugëdalje nga gjendja ku është sot Shqipëria. Për t’u thënë që ne ne jemi ndryshe nga Edi Rama, nga Erion Veliaj, nga Ilir Beqaj, nga Saimir Tahiri, jemi  ndryshe nga Arben Ahmetaj dhe nga çdo pushtetar që vjedh zgjedhjet për të vjedhur e varfëruar shqiptarët!

Ne duam të jetojmë në një Shqipëri demokratike, që u përket qytetarëve dhe jo pushtetatëve. Që nuk sundohet nga krimi dhe për llogari të krimit. Që nuk mbahet në këmbë nga pastrimi i parave të punëve të pista, por nga puna e ndershme e njerëzve si ju. Për ne projekti “Shqipëria si gjithë Europa” nuk është thjesht një sllogan, por është projekti i të ardhmes së shqiptarëve. Është rruga, ku së bashku, do të çojmë Shqipërinë!


“Rama sot është i vetmi person i palumtur”, Noka nga protesta: Jemi këtu për t’i thënë që opozita është në këmbë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës që mbahet ditën e sotme para Kryeministrisë u shpreh se sot Kryeministri, Edi Rama është personi i vetëm i palumtur dhe i trishtuar, pasi sipas tij nuk arriti të shkatërronte opozitën.

Noka u shpreh se opozita është mbledhur për t’i treguar Ramës se opozita është në këmbë.  

Flamur Noka: Të dashur miq, motra dhe vëllezër do të mbahet mend gjatë kjo ditë, ky moment. Jemi të bindur se ky moment do të hyjë në histori me këtë vërshim madhështor i cili ka një qëllim të ndërpresë projektin më të errët, skenarin më të zi që i është kanosur vendit në këto 33 vite, planin ogurzi të Edi Ramës për asgjësimin e opozitës.

Miq një person këtu që sundon prej 12 vitesh që ka kapur çdo zyrë pushteti që vjedh dhe blen votën, shantazhon që ndan pasuritë e vendit si torta festive, që është në krye të çdo afere, që i jep miliona euro familjarëve të tij që udhëton si sheik me avion të paguar nga taksat tuaja, që bën një kopësht këtu mbrapa 4 milion Euro vetëm që të shëtisë sytë në ato që ai ëndërron, por të gjitha me parata tuaja. I bën thjesht për tekat e tij personale.

Sot me vërshimin tuaj madhështor ky person është i vetmi që është i palumtur, i trishtuar, nervoz, i shqetësuar se nuk ja doli të shkatërronte opozitën atë që i prishi ëndrrën për mbretërim. Nuk ja doli të shkatërronte pengesën për pushtetin e tij të përjetshëm, Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare. Vëllezër edhe pse na burgosi liderin tonë me një proces banditesk pa prova, pa fakte ne jemi sot për t’i thënë Edi Ramës që opozita është këtu. Ajo është në këmbë.

Fjala e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka:

Të dashur miq, motra dhe vëllezër, demokrate e demokratë.

Do të mbahet mend gjatë kjo ditë, ky moment!

Jemi të bindur se ky moment do të hyjë në histori me këtë vërshim madhështor, i cili ka një qëllim; të ndërpresë projektin më të errët, skenarin më të zi që i është kanosur ndonjëherë vendit në këto 33 vite, planin ogurzi të Edi Ramës për asgjësimin e opozitës.

Miq!

Një person këtu që sundon prej 11 vitesh, që ka kapur çdo zyrë pushteti dhe shteti, që vjedh dhe blen votën, që shantazhon, ndan pasuritë e vendit si torta festive, që është në krye të çdo afere, që jep miliona euro familjarëve të tij, që udhëton me avion si sheik, të paguar nga taksat tuaja.

Që bën një kopsht këtu mbrapa 4 mln euro vetëm që të shëtisë sytë në ato që ai ëndërron, por të gjitha me paratë tuaja, i bën thjeshtë jo për ju, por për tekat e tij personale.

E pra, vëllezër dhe motra, sot me këtë vërshimin tuaj madhështor, ky person është i vetmi që është i palumtur dhe i trishtuar, është i palumtur dhe nervoz, është i shqetësuar se nuk ja doli dot të shkatërronte opozitën, atë që i prishi ëndërrën për mbretërim.

Nuk ja doli të shkatërronte pengesën për pushtetin e tij të përjetshëm, Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare.

Vëllezër edhe pse na e burgosi liderin tonë në një proces mirëfilli politik dhe banditesk, fund e krye pa prova, fakte e asnjë të dhënë, ne jemi sot për ti thënë Edi Ramës se opozita është këtu, në këmbë, e fortë, e papërkulur, e bashkuar dhe gjithë energji për ta rrëzuar.

Edhe pse korruptoi dhe keqpërdori McGonigalin për non gratën politike të Sali Berishës, përsëri Edi Rama nuk ja doli të na nënshtrojë, sepse ne e kemi në ADN-në tonë, e kemi rezistencën dhe luftën për liri.

McGonigal  në SHBA u dënua për aferën me Edi Ramën. Në atë dosje Edi Rama rezulton edhe korruptues edhe i korruptuar, ndaj ne sot i themi Edi Ramës, nuk të pranojmë më, nuk të njohim më për kryeministër sepse ne nuk mund të kemi kryeministër hajdut.

Demokratët, qytetarët kurajoz kanë rrëzuar 33 vite më parë në një ditë si kjo, një diktator gjakatar.

Ne gati jemi për interesat e vendit, për të ardhmen tonë evropiane ti presim të njëjtën biletë edhe pasardhësit të tij, Edi Ramës.

Sot është dita, o sot o kurrë!

Të dashur vëllezër dhe motra!

Ne kemi një mision, misioni ynë është të çojmë këtë sundues malinj aty ky e ka vendin dhe vendi i tij është para drejtësisë dhe vendin e tij do të ja caktojë populli dhe ja ku është, ky ësntë populli që do ti bëjë gjyqin Edi Ramës.

Ne jemi sot për ti thënë atij, atë përfundim pa lavdi do të kesh, si ndëshkim që do të të japë populli që ti e shkatërrove, që ti e tradhtove, e shkele me këmbë, e zhyte në varfëri, e shpërfille.

Ne jemi këtu sot për ti thënë se ky shesh do të paracaktojë fundin tënd.

Se këta njerëz dhe ky shesh janë dëshmitarë se, ti Edi Rama  jo vetëm do të humbësh privilegjet dhe zyrën që ke këtu me të cilën sundon, por jemi për të thënë se për ty do të nisë një periudhë e keqe, e rëndë e papërballueshme, sepse ti do të japësh llogari për çdo cent që u ke vjedhur shqiptarëve, për çdo pasuri që u ke rrëmbyer atyre, për krime që ke bërë në kurriz të këtij populli dhe këtij vendi.

Për vuajtjet që u ke shkaktuar shumë njerëzve dhe familjeve për të cilat je vetëm ti përgjegjës.

Sot në këtë shesh ne jemi për ti thënë se pushteti nuk është i askujt, por pushteti është i njerëzve, ndaj asnjë institucion që ti mundohesh të kontrollosh nuk do të dalë dot kurrë mbi pushtetin e njerëzve.

Të dashur miq,

Ne jemi sot këtu më të bashkuar se kurrë, siç e keni kërkuar ju prej kohësh, siç e ka kërkuar çdo demokrat dhe shqiptar i lirë dhe i ndershëm.

Siç e ka kërkuar gjithë vendi ynë, me këtë bashkim madhështor, me këtë marshim po kaq madhështor dhe historik ne mendojmë se i kemi bërë një shërbim këtij vendi.

Sot ju i jeni gjendur në krah jo vetëm njëri tjetrit, por i jeni gjendur në krah Shqipërisë në një moment të vështirë, dramatik, ku shumë prej vlerave dhe standardeve që kemi arritur me mund në këto 33 vite.

Sot këtu në këtë shesh është themeluar një rezistencë e shenjtë dhe e pathyeshme.

Kjo është pranvera shqiptare!

Motra dhe vëllezër, ne nuk ndalemi deri sa ti sigurojmë vendit tonë, votën e lirë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Votën e lirë dhe zgjedhjet e ndershme ne do ti fitojmë.

Asgjë nuk na ndal në këtë rrugë.

Ju jeni pushteti, ju jeni shumica, ju jeni zemra, shpirti i këtij vendi, ju do ti jepni rrugë Shqipërisë.

O sot, o kurrë.

Fitore!


Luçiano Boçi: Sot vijmë të bashkuar kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës

Luçiano Boçi ka hapur protestën e opozitës që mbahet ditën e sotme para Kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij, Boçi është shprehur se sot vijnë të bashkuar në protestën e opozitës kundër atij që e quan “pushteti i korruptuar i Edi Ramës”.

Luçiano Boçi: Mirë se keni ardhur në këtë protestë. Ajo që na ka sjellë këtu është mbi të gjitha është e sotmja, është ulërima e qytetarit, është dëshira e tij për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Ai që na ka thirrur në këtë protestë është ai grushti i intelektualit, i zemërimit të atij biznesi që çdo ditë i ngushtohet laku nga taksat, është ai fermer që vajton çdo ditë punën e vet, ofshama e pensionistit që pret lëmoshën, drama e qytetarit shqiptar, jeta e të cilit, udhëtim drejt ferrit. Sot vijmë të bashkuar kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Vijmë të bashkuar sepse diktaturat nuk mund të lulëzojnë nëse ne nuk jemi të bashkuar në një revoltë dhe qëndresë të tillë. Ne vijmë të bashkuar për të marrë nga historia jonë vendosmërinë dhe guximin. Pushteti i korruptuar i Ramës mbështetet mbi frikën dhe mposhtet vetëm me guximin tonë dhe ne do e bëjmë një gjë të tillë. 

Më tej, Boçi ka theksuar se do të vazhdojnë betejën e tyre pasi ka thënë se “lufta” që ata kanë është e vështirë, por është e drejtë.

Luçiano Boçi: Në këto godina është vrarë e ardhmja dhe është burgosur shpresa e shqiptarëve. Janë të lyera me krim dhe korrupsion dhe me afera sepse e tillë është kjo qeverisje. Ai që është larguar, shihni mirë se çfarë bën. Këto godina i blindon dhe na takon ne t’i hapim ato dyer sepse duke hapur ato dyer, i korruptuari kryeministër do të gjendet pas hekurave. Ne duhet të vazhdojmë betejën tonë. Ne do të vazhdojmë luftën tonë sepse jemi të frymëzuar nga njerëzit dhe me ne janë të gjithë qytetarët shqiptarë.  Ne sot kemi në zemrat tona një besim të madh dhe me forcën e tij do të marrim zvarrë ngrehinën e korrupsionit. Lufta jonë është e vështirë, është e pabarabartë, kërkon sakrifica, angazhim, por ama ajo ëshët lufta më e drejtë dhe më e madhe dhe ndaj ju ftoj ta luftojmë luftën tonë me pasionin e Sali Berishës, me forcën e rinisë, ta luftojmë me mendjen e shëndoshë të qytetarit dhe të jeni të bindur se do ta fitojmë sepse ne meritojmë ta fitojmë luftën tonë të drejtë.



/tvklan.al