Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita protestoi sërish para Kuvendit. Në krye të saj nuk ishte lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili ndodhej në Bruksel, në Kongresin e Partive Popullore Europiane.

Përplasjet nuk munguan as këtë radhë. Të parët ishin banorët e Unazës së Re, që u përballën me efektivët e policisë pranë Ministrisë së Brendshme. Disa herë protestuesit tentuan të çanin kordonin e policisë para hyrjes së Kuvendit.

Në drejtim të forcave të rendit u hodhën vazhdimisht tymuese dhe shashka, por policia nuk e pa të nevojshme përdorimin e gazit lotsjellës.

Disa mbështetës të Partisë Demokratike përdorën dhe tarracën e selisë për të hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit. Më pas protesta u spostua drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, aty ku opozita tha se ishin shoqëruar disa protestues.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një reagim në Twitter, tha se protestat e verbra që godasin deputetë, institucione dhe policë, pengojnë shumë policë që të merren me detyrën e tyre kryesore, që është lufta kundër krimit.

Pas konfirmimit nga drejtues të policisë për lirimin e 14 personave të shoqëruar, protestuesit u drejtuan në selinë blu, ku mesazhin përmbyllës në mungesë të Bashës e dha nënkryetari i demokratëve Edi Paloka.

Ndërsa kreu i demokratëve, Basha shkroi në Twitter se mesazhi se kreu i PPE-së, Jozef Doul kishte dhënë në Bruksel ishte se

“nuk mund të bëjmë kompromise me demokracinë, shtetin ligjor dhe lirinë e medias”.

Pas protestës policia njoftoi arrestimin e 6 personave, të akuzuar për veprime të dhunshme mbi institucionet Kushtetuese, Policinë dhe shkatërrim të pronës. 6 të tjerë janë në kërkim ndërsa 17 persona janë proceduar në gjendje të lirë, mes të cilëve edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, si organizator i protestës.

Në mbrëmje, përpara Policisë së Tiranës u mblodhën protestuesit e Unazës së Re dhe drejtues të opozitës, që kërkuan lirimin e personave të ndaluar në tubimet e fundit.

Tv Klan