Opozita rikthehet në tryezën e “Zgjedhores”



Opozita rikthehet në tryezën e “Zgjedhores”

15:50 25/05/2020

Merr fund bojkoti pas shembjes së teatrit

Zgjidhja e ngërçit për reformën elektorale do të ulë të martën në tryezën e Këshillit Politik dy negociatorët e opozitës. Ky takim do të shënojë dhe rinisjen e dialogut mes palëve, pas bojkotit nga ana e opozitës për shkak të shembjes së Teatrit Kombëtar.

Por sa e mundur është përmbyllja e reformës elektorale brenda angazhimit të dhënë nga palët, kur ka mbetur vetëm një javë nga data 31 Maj?

Në letrën e fundit drejtuar dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfaqësuesit e opozitës flisnin për një konsensus që ishte ende larg, për shkak se propozimet e saj të depozituara më herët në tryezë nuk kanë marrë ende përgjigje nga mazhoranca.

Depolitizimi i administratës zgjedhore si dhe çështja e kolegjit, duket se do të rikthejnë sërish debatin mes tyre, por në mbledhjen e së martës është rënë dakord që të diskutohen 3 çështje për të cilat kanë punuar ekspertët.

Çështja e financimit të partive politike, kuotat gjinore dhe periudha zgjedhore që parashikon mbajtjen e zgjedhjeve në Prill ose Maj do të jenë pjesë e takimit.

Ndërkohë që mbetet për të parë se çfarë do të vendoset për një ndër kërkesat e opozitës parlamentare, atë për ndryshimin e sistemit elektoral, për të cilën në postën elektronike të katër negociatorëve ka mbërritur edhe një propozim nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara për të parë si model sistemin danez.

Tv Klan



Të ngjashme