Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kishte ftuar një konferencë të jashtëzakonshme për të reaguar pas protestave. Kjo irritoi edhe më shumë protestuesit që njëkohësisht paralajmëruan protesta. Doli i qetë dhe tha se nuk ka frikë nga askush, por e di që duan ta rrënojnë, pasi nuk ia falin progresin e Serbisë. Liderët e opozitës i quajti mashtrues dhe tha se me ta nuk ka çfarë të bisedojë, pasi ata duan skenar maqedonas.

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë:

Kemi çuar në botë një pamje nga Serbia që nuk duam dhe kjo jo për fajin tonë. Të gjitha këto protesta as që janë paraqitur në polici, por ne i kemi toleruar deri në momentin kur nuk ka patur dhunë dhe këtu ju them të gjithëve është kufiri ynë.

U bë e ditur se protestuesit kaluan pengesat e policisë dhe rrethuan Presidencën. Gazetarët ngelën brenda për një kohë. Protestuesit në shesh tashmë kishin dëgjuar porositë e Vuçiç. Përgjigja e tyre ishte dorëheqje e menjëhershme dhe zgjedhje të lira.

Për herë të parë para tyre dolën për të folur liderët e opozitës të cilët I thanë presidentit se as ata nuk ia kanë frikën.

Vuk Jeremiç, Partia Popullore e Serbisë :

Nuk na ka besuar se do të vijmë këtu dhe kur i kanë thënë bëje konferencën në një vend tjetër nuk ka besuar se do të ngrihet populli kundër tij, por ka gabuar.

Organizatorët e protestave kanë bërë thirrje gjithë popullore për të dalë në rrugë pasi tani është koha për ndryshime.

Tv Klan