Partitë opozitare serbe filluan të hënën të bojkotojnë seancat parlamentare, si protestë ndaj asaj që ato e shohin si qeverisje gjithnjë e më autoritare të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe partisë së tij në pushtet, Partia Progresive Serbe (SNS).

Partitë e opozitës dhe mbështetësit e tyre akuzojnë Vuçiç dhe SNS se mbysin lirinë e medias dhe ndërmarrin sulme ndaj kundërshtarëve politikë apo gazetarëve në Serbi, vend që kërkontë anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i mohojnë akuzat.Bojkoti vjen në klimën e protestave të përjavshme me pjesëmarrjen emijëra njerëzve, që filluan në dhjetor dhe janë përhapur nga Beogradi në shumë qytete të tjera. Protestuesit dhe opozita po kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e zotit Vuçiç dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në një deklaratë, partitë e opozitës thanë se ligjvënësit e tyre do të bojkotojnë seancat plenare, por do të qëndrojnë brenda ndërtesës së parlamentit, ku do të vazhdonin të mbajnë konferenca për shtyp dhe informime deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Ne po bojkotojmë parlamentin jo sepse … ata nuk na respektojnë, por sepse kemi një detyrim ndaj mijëra njerëzve që po protestojnë, për të kërkuar një sistem normal dhe një Serbi normale,”

 tha për gazetarët Sanda Raskoviç Iviç, kryetare e Partisë Demokratike Serbe e qendrës së djathtë.

Partia e zonjës Iviç i përket Aleancës për Serbinë, një grupim heterogjen i partive politike, sindikatave dhe grupeve civile.

Presidenti Vuçiç, një nacionalist i njohur gjatë luftërave ballkanike të viteve 90, i cili tani është për lidhje më të ngushta me Perëndimin, ka thënë se nuk do të përkulet ndaj kërkesave të protestuesve.

Javën e kaluar ai filloi një tur në të gjithë vendin për të inkurajuar mbështetësit, por nuk ka thënë nëse do të thërrasë zgjedhje të parakohshme në pranverë.

Vendimi i opozitës për bojkot nuk pritet të ndalë punën e parlamentit, ku SNS dhe aleati i saj, Partia Socialiste, kanë 160 nga të 250 vendet, një shumicë komode. Por bojkoti mund të minojë besueshmërinë e koalicionit qeverisës.

Sipas sondazheve të opinionit, Vucic dhe SNS gëzojnë mbështetjen e rreth 50 përqind të votuesve, ndërsa opozita mund të sigurojë gjithsej rreth 15 për qind./VOA