Debatit rreth ndryshimeve në ligjin për shtetësi po i vjen fundi. Opozita shqiptare dhe shumica parlamentare janë dakorduar për tekstin dhe kanë mbetur vetëm detajet teknike që më në fund të lëshohet në procedurë parlamentare.

“Mbrëmë është mbajtur takimi i fundit ku pjesa tekstuale që u propozua nga Aleanca dhe Alternativa u shqyrtua nga ministri, Spasovski, e lexova edhe unë, por edhe shërbimet e tjera që janë të kyçura dhe politikisht janë pastruar dilemat. Tani ka mbetur vetëm sekretari shtetëror, Magdica Nestorovska së bashku me deputetet e Aleancës për Shqiptarët që ishte në takimin e punës dhe ekipet e tyre juridike që kjo politikisht është folur, ta nxjerrin në letër.”

E me ligjin e ri, dukshëm do të lehtësohet procedura për marrjen e shtetësisë për personat që pas shpërbërjes së Jugosllavisë kanë jetuar në Maqedoninë e Veriut, e të cilëve u mohua e drejta për tu pajisur me këtë dokument.

“Për kategorinë e personave që kanë qenë prezent në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësimi e këndej, kjo kategori do të duhet të ofroj vetëm një dokument nga kjo gamë e dokumenteve që janë të përshkruara në dispozitën kalimtare, respektivisht në nenin 8 të ligjit. Pra nuk duhet asgjë tjetër, përveç një dokumente që të dëshmojnë se janë pjesë e Maqedonisë së Veriut dhe e marrin shtetësinë. Gjuha si element ka të bëjë për rastet që dëshirojnë të pajisen për shtetësinë nëpërmjet natyralizimit”.

Ligji pritet që të futet në procedurë parlamentare javën e ardhshme, por ende nuk është e qartë se ky ligj a është dakorduar edhe me opozitën maqedonase.

Klan Macedonia