Berisha: Nuk tërhiqemi. Gati dhe për ngujim.

Demokratët kanë vijuar me strategjinë e tyre të bllokimit duke penguar për më tepër se 1 orë prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2024 nga ministri i financave përpara Konferencës së Kryetarëve.

Pothuaj i gjithë grupi parlamentar i demokratëve, përfshirë dhe deputetët e përjashtuar, Bardhi, Nallbati, Korreshi e Noka kanë bllokuar ministrin Mete dhe nuk e lejonin të futej në sallën ku do të zhvillohej mbledhja.

Socialistët kanë tentuar të ndërronin sallën, por ka qenë e pamundur sepse demokratët janë bërë barrikadë dhe nuk kanë lejuar futjen e kolegëve të tyre të majtë në sallë. Madej disa prej tyre u futën dhe në zyrën e kryeparlamentares.

Në përpjekje për të qetësuar situatën, shumica e shtyu orën e mbledhjes për në orën 13:00, madje i kanë kërkuar Gazment Bardhit, që edhe pse ishte i përjashtuar, mund të merrte pjesë në Konferencën e Kryetarëve.  

Socialistët përfituan nga koha kur opozitarët u larguan dhe u sistemuan në sallën e Konferencës së Kryetarëve, e ndërkohë që deputetët e opozitës u lanë jashtë sallës, ministri i Financave prezantoi projektbuxhetin.

“Projekbuxheti i vitit 2024 tejkalon për herë të parë 7 miliardë Euro shpenzime publike të planifikuara.”

“Rrethimin” e gardës e çan vetëm dy deputetë që janë pjesë e Konferencës së Kryetarëve, Zheni Gjergji dhe Agron Gjekmarkaj, por pavarësisht replikave, ministri arriti ta përfundojë fjalën e tij.

“Mendoj që nuk mund ta diskutoni buxhetin pa praninë e opozitës. Nuk është zgjedhja jonë. Nuk ka futën.”

Sali Berisha premtoi se nuk do të ketë zhvillim normal të Parlamentit përsa kohë që shumica do të vazhdojë të shkelë të drejten e tyre kushtetuese për hetim parlamentar, madje ai nuk mohon opsionin e ngujimit të deputetëve në Parlament.

“Çdo opsion është 100% i mundshëm. Ne nuk dorëzojmë Kushtetutën.”

Por ndërkohë, socialistët deklarojnë se nuk do të lejojnë asnjë formë bllokimi dhe dhunë në Parlament. E si hap të parë, kanë bërë kallëzim penal ndaj deputetit Bledion Nallbati, i cili në seancën e së hënës goditi me grusht deputetin socialist Vullnet Sinaj, në përpjekje për ta penguar të merrte fjalën. Në kallëzimin e firmosur nga Bledi Çuçi, Nallbati akuzohet për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”, por të njëjtën gjë kanë bërë edhe demokratët, me të njëjtën akuzë ata kanë dorëzuar në SPAK një kallëzim për Vullnet Sinajn.

Tv Klan