Protesta masive kundër regjimit bjellorus, mbi 200 të arrestuar

Liderja në arrati e opozitës bjelloruse Svetllana Cikanovskaja bëri thirrje për nisjen nga kjo e hënë të një valë grevash në Bjellorusi. Thirrjen e bëri pas skadimit të ultimatumit të opozitës për presidentin Aleksandër Lukashenko, ku kërkohej dorëheqja e tij dhe ripërsëritja e zgjedhjeve presidenciale.

Ultimatumi skadoi të Dielën, ditën kur dhjetëra mijëra njerëz u dyndën rrugëve të Minskut për të protestuar kundër regjimit të Lukashenkos. Gjatë protestave pati edhe përleshje me policinë që përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Mbi 200 manifestues u arrestuan. Reagimi i forcave policore ishte aq i ashpër saqë manifestuesve u hynë edhe në shtëpi për t’i vënë prangat. Ndaj tyre u përdor dhunë e ashpër siç duket qartë edhe në këtë xhirim amator.

Që prej zgjedhjeve të 9 gushtit, mbi 15 mijë mbështetës të opozitës janë vënë në pranga në protestat ku kërkohen zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme.

Tv Klan