Apple ka një opsion të fshehur i cili rregullon menjëherë cilësinë e zërit në telefonatat audio e video. Sipas “The Verge”, disa aplikacione si FaceTime Audio apo WhatsApp përcjellin zërin më qartë se sa telefonatat e zakonshme por ka një opsion në Control Centre që ju ndihmon të keni cilëinë më të lartë.

Voice Isolation funksionon në iPhone, iPad dhe Mac, por mund ta aktivizoni vetëm nëse jeni në një telefonatë. Shtypni Control Centre dhe në opsionin Mic Mode do ju shfaqen tre alternativa: Standard, e cila është e vendosur automatikisht në çdo kohë, Voice Isolation dhe Wide Spectrum.

Wide Spectrum lejon personat që telefononi të dëgjojnë më shumë zhurma sfondi, por Voice Isolation bën magji. Pajisja juaj do të nisë të procesojë të gjithë materialin audio për të hequr të gjitha zhurmat e sfondit dhe duke lënë vetëm zërin të dëgjohet.

Pra, shpjeguar thjesht, nëse ndodheni në një mjedis të zhurmshëm, me ndonjë qen që leh, bori makinash, zëra fëmijësh etj, personi në anën tjetër mund të mos i dëgjojë thuajse aspak të gjitha këto. Zëri juaj gjithashtu do tingëllojë më i përpunuar, por tashmë kjo është diçka e zakonshme me pajisjet elektronike.

Ka vetëm dy probleme me këtë opsion. Nuk është opsion universal ndaj do ju duhet ta aktivizoni manualisht për çdo telefonatë që bëni. Së dyti, funksionon përgjithësisht më mirë në pajisjet celulare se sa iPad apo Mac ku mund të hasë edhe ndonjë vështirësi. Gjithsesi, pjesa më e madhe e aplikacioneve si Snapchat, WhatsApp, Signal apo Instagram e suportojnë mjaft mirë, por nuk ndodh e njëjta gjë me Tik Tok.

Çudia më e madhe është se nuk aktivizohet në thirrjet e zakonshme telefonike, por këtu mund të ketë të bëjë vetë puna e Apple për të rregulluar cilësinë e tyre pa nevojën e opsionit. Sigurisht, do ishte shumë e volitshme që Voice Isolation të aktivizohej edhe në to për shkak të cilësisë së lartë të zërit me të, por do të duhet të presim që kompania të zgjidhë këto probleme./tvklan.al