Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, është shprehur optimist se Parlamenti i Maqedonisë ka për të përmbyllur me sukses miratimin e ndryshimeve kushtetuese për të vënë në jetë ‘Marrëveshjen e Prespës’ lidhur me emrin. Me këtë, ka thënë ai, hapet edhe rruga e integrimit euroatlantik të saj.

“Mendoj se Maqedonia ka bërë një lëvizje të rëndësishme. Sigurimi i shumicës së dy të tretave në Parlament, të domosdoshme për inicimin e debatit për reformat e domosdoshme kushtetuese, është një kthesë me rëndësi dhe ndërmarrje e madhe e Qeverisë së Zoran Zaevit. Presim që parlamenti maqedonas të përfundojë sa më parë këtë proces. Pas kësaj, radhën do ta ketë Athina dhe Qeveria e Greqisë dhe shpresoj se do të ratifikohet ‘Marrëveshja e Prespës”, – thotë zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit duke shprehur bindjen se pas kësaj, 18 muaj më pas, Maqedonia, me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut, do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

Duke folur për kundërshtimin e Marrëveshjes nga ana e opozitës maqedonase, Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ka treguar mirëkuptim për ndjeshmërinë për çështjen tek një pjesë e votuesve maqedonas, por është treguar optimist se kryeministri Zaev do t’ia dalë të adresojë mirë këto shqetësime. Sipas tij, shqetësimi më i madh ka të bëj me aktorë të jashtëm, përfshirë Federatën Ruse, të cilët, ka thënë ai, e minojnë Marrëveshjen:

“Kemi vënë re se autoritetet ruse po i trimërojnë qytetarët e Maqedonisë, elementë të caktuar brenda shoqërisë maqedonase, të dyshojnë për qëllimet e mira të Qeverisë. Kemi vënë re edhe përpjekje të makinerisë së kontrolluar shtetërore infomative ruse që po tenton të imponojë mendimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose disa faktorë të tjerë të jashtëm, po e detyrojnë popullin e Maqedonisë për këtë Marrëveshje. Kjo nuk është e vërtetë”, – është shprehur Palmer për Tv Aljazzera Balkans, duke nënvizuar se pengimi i zbatimit të ‘Marrëveshjes së Prespës’ në fakt është kontestim i institucioneve politike maqedonase.

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, ka folur edhe për tensionet në vijën Prishtinë-Beograd. Me këtë rast ai ka shprehur mirëkuptim për vendimin e autoriteteve kosovare që Forcat e Sigurisë të shndërrohen në ushtri të Kosovës:

SHBA-të në parim mbështesin të drejtën e Kosovës që të vazhdojë këtë transformim. Kjo nuk është diçka që bëhet me shtypje butoni, në mënyrë që menjëherë, brenda natës, të kalohet nga një formë e forcave të armatosura në një tjetër. Ky është një proces tejet i ngadalshëm dhe i shkallë-shkallshëm i tranzicionit,’

– ka deklaruar Palmer duke thënë se transformi i FSK-së në ushtri është brenda kuadrit ligjor të Kosovës dhe se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që me Kosovën si partnere të punojnë që ky proces të zhvillohet gradualisht dhe pofesionalisht për vendosjen e paqes e të sigurisë në rajon.

Ndërkaq, sa i përket rritjes së tarifave doganore që pala kosovare i vendosi për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, zyrtari i lartë i administratës amerikane ka shprehur shpresën se ato do të hiqen së shpejti, për shkak se, sikurse theksoi, janë pengesë për dialogun, por edhe për paqen.

Tv Klan