“Ora e së vërtetës po afron”. Kështu shprehen mediat italiane për situatën politike, ku kryeministri Giuseppe Conte do duhet t’i drejtohet Dhomës së Ulët dhe Senatit për të marrë votëbesimin nëse do të jetë në krye të punëve të vendit.

Conte do të ketë një fjalim ku sipas mediave do t’u drejtohet të “përgjegjshmëve”. Kalkulimet janë shumë të vështira për kryeministrin aktual pas daljes nga koalicioni të partisë së Matteo Renzi-t.

Testi i parë i Conte-s është Dhoma e Ulët. Sipas parashikimeve të mediave ai mund ta arrijë shumicën aty. Kjo pasi përveç votave të Partisë Lëvizja 5 Yjet, Partisë Demokratike, LEU-t, janë edhe disa kandidatë të partisë së Renzit që kanë deklaruar më herët që do të votojnë për qeverinë aktuale.

Po ashtu disa deputetë të pavarur do të votojnë për Conte-n. Me vështirësi, por jo mision i pamundur për kryeministrin që të arrijë deri në 318 vota tek Dhoma e Ulët.

Dhimbja e kokës për Conte-n nis tek Senati. Shumica atje duhet të jetë 161 vota, por mediat numërojnë për të vetëm 150-151 të tilla. Conte pritet të dalë para senatorëve ditën e nesërme.

Deputetët e partisë Italia Viva të ish-kryeministrit Matteo Renzi u tërhoqën për shkak të mosmarrëveshjeve për planin e rimëkëmbjes ekonomike për krizën e Covid-19./tvklan.al