Ndërtesat ikonike në mbarë botën fikën dritat e tyre në kuadër të “Orës së Tokës” me synimin, për të ndërgjegjësuar për pasojat e ndryshimeve klimatike në planetin tonë, por edhe për të mbrojtur natyrën.

Tempulli i Partenonit dhe monumentet e tjera historike në Athinë u zhytën në errësirë ​​për një orë. Ndërtesa e parlamentit dhe bashkia e Athinës gjithashtu morën pjesë në nismë, ndërsa familjet dhe bizneset u inkurajuan të ndiqnin të njëjtin hap.

Edhe Koloseu antik u zhyt në errësirë. Ndërsa përtej Evropës, ndërtesat ikonike në disa qytete indiane, përfshirë Mumbai, Nju Delhi dhe Kalkuta morën pjesë në këtë akt simbolik.

Në Hong-Kong gati 4,000 kompani, organizata dhe ndërtesa u bënë pjesë e fushatës globale duke treguar në këtë mënyrë mbështetjen e tyre për mbrojtjen e mjedisit. Miliona njerëz në mbi 7000 qytete në 190 vende fikën dritat e tyre për të treguar solidaritet dhe përkushtim për të mbrojtur planetin.

Klan News