Kërkojnë shtyrje të orës policore dhe lejimin e muzikës

24 orë pa shërbim dhe në mbrëmje një marshim me dritat e celularëve të ndezur dhe qirinj… Ishte kjo pamja që të ofronte Vlora mbrëmjen e kësaj të hëne, në protestën e zhvilluar nga bizneset atje. Ata kërkojnë shtyrje të orës policore deri në orën 02:00 të mëngjesit dhe lejimin e muzikës në sfond të paktën deri në mesnatë. Protesta thonë se ishte simbolike, në mënyrën më qytetare të mundshme.

“Ne kemi paralajmëruar një protestë të mbyllje totale të gjithë bizneseve përgjatë Lungomares për 24 orë, dhe jemi mbledhur këtu të gjithë që të përcjellim mesazhin. Ne këtë çështje e kemi vërtetë problematike serioze… Një nga problematika kryesore është që të hiqet gardhi policor, nuk duam që ta shikojmë si panoramë. Pika tjetër kryesore është fasha e orarit, të paktën të kalojë deri në orën 02:00. Për ndotjen akustike që e përmendi kryeministri që jemi plotësisht dakord. Klientët në këtë orë janë më në pakicë, ambienti është më i qetë dhe fasha muzikore që ne kërkuam që ne na u duk sikur na dha një karamele, nga ora 22:00 deri në orën 23:00, sidoqoftë faleminderit dhe për atë gjë, ne kërkojmë që brenda orës 24:00, brenda të gjitha rregullave dhe jo me ndotje akustike të kemi një sfond muzikor që të ushtrojmë biznesin tonë në mënyrë sa më të denjë. Jemi mbledhur këtu të gjithë me një zë për këtë gjë”.

“Qirinjtë janë një simbolikë e thjesht që ne jemi një qytet turistik që i takon të jetë i denjë sa i përket pjesës së turizmit, të jetë plot dritë, me muzikë në sfond me shërbim të denjë e jo të ngelet në orare, ne i kemi quajtur “orare mortore”…”

Mos organizimi i dasmave thonë se u ka prishur shumë, madje kanë edhe batuta për këtë gjë.

“Fjala dasmë nuk ekziston më, është turp… Nëse do respektojë Vlorën,  qytetin, turizmin, të vendosë që të na japë zgjidhje, nëse jo, ne do mblidhemi dhe do vazhdojmë me protesta të tjera.”

“Ka dy vjet që nuk martohen njerëzit, po martohen me korrespondencë…”

Operatorët turistikë thonë se do ta vijojnë protestën e tyre në pritje të përgjigjes nga qeveria. /tvklan.al