Pasi u refuzua nga partnerët europianë si i vetëofruar në rolin e ndërmjetësuesit të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, Viktor Orban shkoi tek Donald Trump në rezidencën e tij në Florida.

Përmes një postimi në rrjetin social X dhe pamjeve të shpërndara prej tij, kreu i qeverisë hungareze tha se kishte diskutuar me kandidatin republikan për mënyrat e arritjes së paqes.

Sipas Orbanit, Trump i kishte thënë se këtë çështje do ta zgjidhim. Kandidati republikan, edhe më herët është shprehur kundër luftës në Ukrainë, që pritet të jetë një ndër prioritetet e administratës së tij, nëse ai fiton një mandat të dytë presidencial më 5 Nëntor. Gjasat janë që kjo të ndodhë sipas të gjitha parashikimeve.

Mik i Vladimir Putinit dhe mbështetës i hershëm i Donald Trump-it, Viktor Orban u bë nismëtar i një grupi të ri në Parlamentin Europian, që u quajt “Patriotët” ku bëjnë pjesë edhe disa parti nacionaliste si tubimi kombëtar i Francës apo Partia e Lirisë në Austri që po ashtu kanë qasje kundër luftës në Ukrainë.

Orban u takua në fillim të këtij muaji edhe me Zelenskin e Putinin si dhe me Xi Jinping, në përpjekje për ta faktorizuar këtë grupim.

Tv Klan