Vizita tek rrethimi me tela me gjemba përgjatë kufirit me Serbinë kulmoi vizitën e zv/Kryeministrit italian Matteo Salvini në Hungari, me ftesë të Kryeministrit Viktor Orban. Vlerësime të larta për shefin e qeverisë së Budapestit, nga lideri i populistëve italianë. Të dy ndajnë të njejtën linjë kundër dyndjes së emigrantëve në Europë.

Megjithatë, Orban nuk është i gatshëm të braktisë Partinë Popullore Europiane që e ka pezulluar antarësinë e Fideszit hungarez, për shkelje të frymës liberale, për një aleancë me partitë kundër emigrantëve në Parlamentin Europian, në krye të të cilëve kërkon të jetë Salvini.

“Duam që Partia Popullore Europiane të bashkëpunojë me forcat kundër emigrantëve”.

Salvini, gjithsesi nuk pajtohet me qëndrimin e Partisë Popullore Europiane për emigrantët.

“Problemi nuk është rishpërndarja e klandestinëve nëpër Europë. Duam të kemi një Europë që mbron kufijtë e vetë tokësorë dhe detarë”.

Përgjigjen ua dha Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë vizitës në Niger, nga ku përjashtoi çdo mundësi të bashkëpunimit të Partisë Popullore Europiane me nacionalistët për legjislaturën e re europarlamentare. Më e mundshme është që PPE të vijojë me aleancën me socialdemokratët.

Tv Klan