Fiqiri Rexhepi tregoi në emisionin “Stop” se është trajtuar për 5 vjet me Kemp, për shkak të një tumori në stomak. Më pas ai tha se nisi një punë të lehtë në një firmë ndërtimi, gjatë së cilës pësoi aksident e theu këmbën. Mori sërish Kemp për 6 muaj, por ia ndërprenë, duke i kërkuar epikrizën nga mjeku specialist.

“Më 30.04.2018 m’u ndërpre Kempi. Më thanë që të përsërisja Kempin, shkova te ortopedi, i cili tha të shkoja te Spitali Ushtarak, ku jam operuar. Shkova dhe më thanë që do të ma jepte mjeku i lagjes. Ky i fundit më thotë nuk kam të drejtë. Vij prap te Kempi dhe më thonë që nuk më fusin në komision se s’ke epikrizën”,

rrëfeu kalvarin e gjatë denoncuesi.

Gazetarja e emisionit “Stop” sëbashku me Fiqiri Rexhepin iu drejtuan KMCAP-it në Tiranë, ku komunikuan me përgjegjësin Fatos Abdiu.

Përgjegjësi – 

Flasim për traumat e anësive të sipërme dhe të poshtme dhe pasojat e tyre, thonë këta: “Frakturat dhe gjithë dëmtimet traumatike të strukturave të anësive të poshtme, që kërkojnë trajtim mjekësor tej afatit 6-mujor. Trajtim me pension invaliditeti të plotë, do të bëhet vetëm nga Kempi Epror.” Pra, për 6 muajshin, që zotëria duhet të kishte marrë pushim, që nuk e ka marrë sepse nuk ka qenë në marrëdhënie pune, ne i kemi dhënë 6 muaj, pra që nuk kemi të drejtë t’i japim.

Duke u nisur nga ky fakt, doktori i ka thënë që ‘ore 6 muaj t’i dhashë, tashi mos më bjer në qafë, sepse nuk të mbuloj dot! Kjo ka qenë shprehja. Megjithatë, epikrizat i hoqën fare. Ti bëj grafi, edhe hajde në Komision!

Qytetari – Ok!

Përgjegjësi –

Hajde! Dosjen e kam në procedurë! A u binde? (gazetares)

Pas interesimit të emisionit “Stop”, denoncuesit iu tha se nuk ka nevojë për epikrizë, për të cilën e kanë sorrollatur aq gjatë, por vetëm dy grafi për të hyrë në komision.

Fiqiri Rexhepi u paraqit në KMCAP Tiranë më 1 Gusht 2018 për t’u rivlerësuar, nga ku përfitoi edhe 6 muaj të tjerë Kemp.

Ai falenderoi emisionin “Stop” duke thënë:

“Po të mos ishte ndërhyrja juaj, unë nuk kisha as informacionin e duhur se çfarë rruge do të ndiqja për të marrë Kempin dhe për të parë gjendjen time”./tvklan.al