Organizata e Trump nën akuza



Organizata e Trump nën akuza

14:01 26/06/2021

Hetimi është hapur pasi kompania u ofronte drejtuesve të lartë apartamente, makina e pagesa për studimet

Prokurorët në Manhattan kanë deklaruar se organizata e ish-presidentit amerikan Donald Trump mund të përballet me penale në lidhje me përfitimet që u ka dhënë punonjësve të kompanisë.

Kjo gjë ka të ngjarë të përfshijnë akuza për një përpjekje të një kompanie për të shmangur pagimin e taksave, duke përfshirë apartamente pa qira, makina dhe përfitime të tjera. Gazeta New York Times, shkruan se avokati i organizatës Trump, Ron Fischetti tha se kishte zhvilluar një bisedë me zyrën e Prokurorit të Manhatanit, në përpjekje për t’i bindur të mos ngrenë akuza penale ndaj kompanisë, por shtoi se akuzat janë të pritshme.

“Nëse ngrihen akuza të tilla, janë tërësisht absurde dhe të pashembullta. E gjithë kjo po bëhet vetëm për t’u hakmarrë ndaj Donald Trumpit,” është shprehur avokati i Trump.

Deri tani procesi i gjatë hetimor nuk ka rezultuar në akuza. Prokurorët kanë kohë që analizojnë dokumentacionin fiskal të ish-presidentit, kanë paraqitur urdhra gjykate për nxjerrjen e dokumenteve dhe kanë intervistuar dëshmitarë që kanë punuar nga afër me ish-presidentin si dhe drejtues të kompanisë.

Procesi hetimor është përqendruar pjesërisht tek shefi i financave të organizatës Trump, Allen Weisselberg. 73-vjeçari Weisselberg është në vëmendje pasi janë ngritur pikëpyetje për faktin se i biri ka përdorur një apartament në pronësi të kompanisë Trump me kosto të ulët ose falas, si dhe ka pikëpyetje për pagesat e shkollimit në institucione private për nipat e Weisselberg.

Klan News








Të ngjashme