24 kombëtare do jenë pjesëmarrëse

Italia dhe Anglia do të vijojnë betejën mes tyre edhe për Euro 2028. Kjo në zgjedhjen e vendit organizator të Evropianit pas 7 vitesh. Italia po planifikon të paraqesë zyrtarisht kandidaturën e saj, ashtu si dhe Anglia, e cila mund të mburret me vlerësimet e UEFA-s për organizimin e kompeticionit që sapo ka përfunduar.

Vendi mikpritës i “Euro 2028” do të caktohet në fund të këtij viti, por lobimet kanë nisur që tani. Në 2024 do të luhet në Gjermani. Siç dihet, katër ndeshje u zhvilluan në Romë gjatë Euro 2020, tre të raundit të grupeve, sfida ku luante Italia dhe çerekfinalja, Angli-Ukrainë.

Gjithçka funksionoi ashtu si duhej. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, nën mandatin e të cilit do të merret vendimi, tashmë e ka bërë të qartë se formula e re me shumë qytete, e eksperimentuar kësaj vere, nuk do të përsëritet.

As një turne me 32 skuadra nuk duket i mundshëm. Anglezët përfunduan duke i luajtur 6 nga 7 ndeshjet e planifikuara të tyre në “Wembley”. Pra, rivaliteti dhe antagonizmi maksimal i finales së 11 Korrikut mes anglezëve dhe italianëve do të vijojë, në kërkim të fitimit të së drejtës për të organizuar “Euro 2028”.

Klan News