Sa i trishtë aq edhe tronditës ishte rrëfimi i këngëtares Orgesa Zaimi, e cila në studion e emisionit “E ardhmja është vajzë”, zbuloi se kishte humbur dy njerëzit e saj të dashur brenda një harku kohor prej pak ditësh.

“Janari për mua ka nisur shumë trishtueshëm, sepse kam humbur brenda një afati 8 deri në 9 ditë, edhe dajën edhe xhaxhain. Ishte pak e papritur. Daja im ka qenë njeri që bënte shaka, njeri shumë i ditur… Nuk e di ka qenë një dhimbje shumë e madhe. Por sidomos goditjen më të fortë e mora nga xhaxhai im Behari, i cili u nda nga jeta para një jave. Ishte një komplikacion i Covid-it, ai e kishte kaluar në Dhjetor dhe ishte një komplikacion që i solli… vuante nga një problem. Nuk e prisja kurrë dhe ishte goditja e dytë shumë e fortë. Nëse për dajën e prisja sepse ishte i shtruar në spital, për xhaxhin nuk e prisja kurrë. Kam shkuar në Skrapar aty ku jetonte bashkë me bashkëshorten, i vetëm në ato shtëpitë e vjetra, nuk donte të ikte, të largohej. Mu kthye pas e gjithë fëmijëria ime, koha kur argëtohesha me të… Të dy këta kanë qenë një model shumë i fortë në jetën time”.

Mes lotësh, këngëtarja kishte edhe një mesazh.

“Njerëzit mendojnë se nuk ka Covid, apo që nuk është asnjë gjë, por unë në lëkurën, në vuajten e familjes time, sapo e kalova. Them që të bëni kujdes, ta vlerësoni maksimalisht jetën, t’i përqafoni njerëzit sa i keni afër dhe t’u shprehni dashurinë sa jeni afër, sepse nuk e di… pendohem shumë që një përqafim nuk e mora nga të dy në momentin e fundit dhe them që atje ku janë të jenë të paqtë dhe të jenë mirë”./tvklan.al