Italia mbërthehet nga moti i keq

Kjo video tregon momentet e një orteku që goditi një zonë të banuar në rajonin verior italian të Alto Adixhes.

Veriu i Italisë është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës që kanë izoluar kryesisht zonat malore. Por teksa dëbora ka mbërthyer veriun, pjesa tjetër e vendit është përfshirë nga përmbytjet. Reshjet e dendura të shiut kanë rritur nivelin e lumit Arno që përshkon Firencen, duke e çuar pranë kufirit maksimal që rrezikon të përmbytë qytetin.

Venecia vijon të jetë prej disa ditësh në situatë emergjence nga përmbytjet. Të shtunën u duk sikur uji nisi të tërhiqej nga sheshi i Shën Markut, por këtë të diel niveli u rrit sërish në 160 centimetra.

Reshjet e dendura të shiut dhe stuhitë vijojnë edhe në jug. Këto pamje janë xhiruar në Napoli.

Erërat e forta kanë thyer pemë e kanë krijuar probleme në qarkullimin rrugor në Pulja. Qeveria pritet të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme, ku do të vendosen masat për përballimin e situatës.

Tv Klan