Hera e parë që Ukraina nuk e feston në 7 Janar, Moska sulmon me dronë pjesën qëndrore të vendit

Miliona të krishterë ortodoksë morën pjesë në meshat e mbajtura për të shënuar Krishtlindjen ortodokse, një festë që ka mbetur nën hije për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Në Serbi, besimtarët ortodoksë u mblodhën për të festuar Krishtlindjen me djegien e degëve të lisit. Një turmë e vogël e serbëve u mblodhën jashtë Kishës së Shën Sava në kryeqytet për të shënuar fillimin e festimeve me zjarrin tradicional dhe lutje.

Patriarku ortodoks grek i Jeruzalemit, Theophilos III, udhëhoqi meshën në Kishën e Lindjes së Krishtit në Betlehem për të festuar Krishtlindjet sipas kalendarit ortodoks. Ashtu si me Krishtlindjet e 25 dhjetorit , lufta në Gaza ka anuluar festimet ku nuk ka as pemë Krishtlindjesh dhe as ndonjë dekorim festiv.

Në Rusi, vendi me numrin më të madh të të krishterëve ortodoksë, besimtarët morën pjesë në meshat e mbajtura në kishat në Moskë dhe në mbarë vendin.

Presidenti rus Vladimir Putin, i shoqëruar nga të afërmit e ushtarëve të vrarë në konfliktin në Ukrainë, mori pjesë në shërbimet e Krishtlindjeve ortodokse në rezidencën e tij zyrtare në Novo-Oragyovo. Në Katedralen Krishti Shpëtimtar i Moskës, kreu i Kishës Ortodokse Ruse Patriarku Kirill drejtoi meshën.

Besimtaret ortodoksë në Donetsk të kontrolluar nga Rusia iu përmbajtën datës tradicionale për Krishtlindjet. Në maj të vitit të kaluar Ukraina njoftoi një kalim nga data tradicionale e Krishtlindjeve ortodokse e 7 janarit në 25 dhjetor, në përputhje me pjesën më të madhe të botës së krishterë, në një lëvizje për të distancuar vendin nga traditat ruse.

Pavarësisht vendimit të Ukrainës për të festuar Krishtlindjet më 25 dhjetor, disa ortodoksë ukrainas festuan Krishtlindjet në një kishë në Kiev. Kievi ka akuzuar më parë Kishën Ortodokse të Ukrainës për bashkëpunim me Rusinë.

Ndërkaq kjo festë u shoqërua edhe me sulme nga Rusia. Zyrtarët ukrainas raportuan se Moska lëshoi 28 dronë dhe tre raketa në qytetin Dnipro duke plagosur 12 persona.

Edhe pse në shkallë më të vogël sesa sulmet e fundit ajrore, sulmi i 7 janarit është treguesi i fundit se Rusia nuk do të ndalet së shënjestruari infrastrukturën civile ukrainase. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se mbrojtja ajrore shkatërroi 21 nga 28 dronët, që kryesisht shënjestruan lokacione në jug dhe lindje.

Gjatë dy javëve të fundit, Rusia ka hedhur pothuajse 300 raketa dhe ka kryer sulme me mbi 200 dronë në Ukrainë, si pjesë e përpjekjeve të saj për të terrorizuar popullatën civile. Më 29 dhjetor, mbi 120 raketa ruse u lëshuan në qytetet në mbarë Ukrainën, duke vrarë 44 persona, përfshirë 30 viktima vetëm në Kiev.

Klan News