Erdogan fton Mitsotakis për dialog kokë më kokë

Pas faljeve të së premtes, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sqaroi qëllimin e vërtetë të tërheqjes së anijes sondë nga ujërat e Mesdheut Lindor.

“Që Oruç Reisin e tërhoqëm për riparim, kjo është e vërtetë. Por këtë e bëmë mbi të gjitha për t’i hapur rrugë diplomacisë. Greqia ta shfrytëzojë pozitivisht qasjen tonë. Kemi vullnetin e mirë për t’u takuar me Kryeministrin Mitsotakis, në një vend të tretë ose me videokonferencë”.

Megjithatë kreu i shtetit turk paralajmëroi se nëse Greqia nuk reagon pozitivisht në këtë moment, anija sondë Oruç Reis mund të rinisë sërish shumë shpejt kërkimet për gaz në zonat e kontestuara të Mesdheut Lindor.

Më herët, Erdogan bisedoi në telefon edhe me Kancelaren gjermane Angela Merkel të cilës i bëri thirrje të mbështesë një qëndrim më të drejtë dhe të paanshëm nga Bashkimi Europian ndaj Turqisë.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha të enjten se ishte gati të dialogonte me palën turke, por sipas tij Ankaraja duhej të jepte shenja bindëse se kërkon ta ç’tensionojë situatën. E nëse tërheqja e Oruç Reisit është një nga këto prova bindëse, kjo mbetet për t’u parë.

Tv Klan