Ish-numri 1 i botës në tenis njoftoi se nuk do të marrë pjesë në turneun e famshëm britanik

Naomi Osaka është tërhequr nga turneu i Uimbëlldonit, për shkak të një dëmtimi në këmbë.

Ish-numri 1 i botës në tenis për femra kishte deklaruar më herët se gjasat ishin të pakta që ajo të merrte pjesë në Grand Slam, pasi ishte vendosur që për turneun e këtij viti të mos llogariteshin pikët për tenistët në përfundim të konkurrimit.

Autoritetet britanike vendosën që të ndalonin tenistët rusë dhe bjellorusë në turne, e kjo solli reagimin e shoqatës së tenistëve profesionistë, që vendosi të hiqte pikët për pjesëmarrësit në turne.

Osaka, 24-vjeçare, ka pasur problem në tendinën e Akilit pas dëmtimit që pësoi në Italian Open, dhe ende nuk është rekuperuar plotësisht.

Tenistja japoneze nuk ka marrë pjesë në turneun e famshëm britanik që nga viti 2019, e nuk ka arritur që të fitojë asnjë ndeshje aty që nga viti 2018 kur shkoi deri në raundin e tretë.

Edhe Euzheni Bushar nuk do të marrë pjesë në turneun e Uimbëlldonit, që nis më 27 Qershor e përfundon më 10 Korrik.

Klan News