“Do monitorojmë që të mos cënojë lirinë e shprehjes”

Teksa paketa e mazhorancës për anti-shpifjen do të kalojë nesër për votim në Kuvend, përfaqësuesi i OSBE – së për lirinë e medias, Harlem Desir, thotë se drafti ka pësuar ndryshime sipas standardeve ndërkombtare. Ai shprehet se OSBE ka punuar me qeverinë dhe Kryeministrin Rama deri në momentin e fundit për përmirësimin e draftit.

“Shumë përmirësime në versionin e fundit të botuar sot në krahasim me projektligjet e mëparshme: detyrimet e regjistrimit janë eliminuar; masa mbrojtëse të përgjithshme lidhur me standardet ndërkombëtare të prezantuara (neni 4); janë futur kufij të rreptë për marrjen e përmbajtjes”.

Zoti Desir shprehet se puna do të vazhdojë për të ulur nivelin e gjobave se dhe OSBE do të monitorojë nga afër zbatimin e ligjit, në mënyrë që ai të mos cënojë lirinë e shprehjes.

“Rregullimi i së drejtës së përgjigjes është përshtatur me nevojat e botimeve elektronike dhe është kufizuar për të shmangur keqpërdorimet (neni 53/1); atributet e reja të AKEP-t janë eleminuar. Zyra ime do të monitorojë nga afër zbatimin e ligjit, i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. AMA duhet të zbatojë ligjin në mënyrë vërtet të pavarur”.

Edhe Kryeministri Rama garantoi përmes një postimi në rrjetet sociale se ligji  ishte konsultuar me OSBE.

“Keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë; për ata që nxjerrin deklarata pa lidhje fare me ligjin e ri; për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin. Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse 1-vjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vjenës”.

Paradite, një zëdhënës i Komisionit Europian i tha Zërit të Amerikës se dhe varianti i fundit i paketës nuk merr parasysh një sërë rekomandimesh që janë bërë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Ndërsa, komisionerja për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviç, i bëri thirrje Parlamentit të rishikojë draftet.

Mesazhin e komisioneres Mijatoviç e ripostoi në rrjetet sociale kreu i shtetit, Ilir Meta, duke shtuar se “Shqipëria nuk ka nevojë për rekorde të tjera negative ndërkombëtare”.

Drafti është kundërshtuar dhe nga Partia Demokratike, e cila theksoi se do ta shfuqizojë atë sapo të vijë në pushtet.

Ndërsa paraditen e së mërkurës, opozita dhe shoqatat e mediave kanë paralajmëruar protestë para Parlamentit.

Tv Klan