Mandati i komisionit bipartizan për reformën zgjedhore e ka mbyllur gjysmën e parë duke zhvilluar vetëm 2 mbledhje.

I ngritur në tetor të vitit të shkuar, komisioni duhet të mbyllë punën deri në 13 prill te këtij viti. Kryetari në detyrë i prezencës së OSBE që e vë në dukje këtë fakt, në shqip ju kërkon palëve që në mënyrë konsensuale të vazhdojnë punën për këtë reforme të rëndësishme.

“Tash është momenti i duhur për bisedim, edhe për vendim në çështjet e Reformës të Sistemit Zgjedhor. Edhe jo vetëm dy tre muaj para zgjedhjeve të ardhshme.”

Edhe kreu i Grupit Parlamentar socialist në një takim të organizuar nga kuvendi dhe ministri për Diasporën “për votën e emigranteve” i kërkon opozitës të rikthehen në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, edhe për t’i mundësuar shqiptare që jetojnë jashtë të ushtrojnë të drejtën e votës.

Ministri i Brendshëm e sheh po ashtu te vullneti politik mundësimin e votës së emigrantëve.

“Është një sfidë shumë e vështirë në kushtet e kësaj klime politike të tensionuar artificialisht”, tha Xhafaj.

Ministri i Diasporës Pandeli Majko mendon se qeverisja bëhet më e mirë me votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë.

“Ajo do të sjellë një freski politike elektorale sa edhe do të rrisë presionin pozitiv për standarde në qeverisjen e vendit”, tha Majko.

Ministrja e Jashtme po ashtu është një ndër faktorët kyç në procesin e regjistrimit të emigrantëve, të cilët vetëdeklarojnë të dhënat e tyre përfshirë dhe adresën, kryesisht pranë konsullatave.

Tv Klan