Prezenca e OSBE në Tiranë i ka dhuruar SPAK pajisje të cilat do t’i shërbejnë task-forcës së ngritur për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore më 11 Maj.

Bëhet fjalë për 25 laptopë, skanera, printera si dhe aksesorë të tjerë që do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren. Gjatë ceremonisë së dhurimit, kreu i SPAK, Altin Dumani tha se pajisjet e dhuruara si dhe asistenca e vazhdueshme e OSBE ndihmon në rritjen e kapaciteteve hetimore, çka ndikon në evidentimin në kohë të krimeve zgjedhore.

“Forcojmë kapacitetet e Task-Forcës së SPAK-ut për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.  Prezenca e OSBE-së i dhuroi sot SPAK-ut 25 laptopë, 25 printera/skanera dhe aksesorë, që do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren si dhe nga struktura qendrore në Tiranë. Asistenca teknike do të pasohet nga trajnime për rritjen e kapaciteteve. Në takimin e zhvilluar sot, ambasadori Michel Tarran dhe drejtuesi Altin Dumani theksuan rëndësinë e mekanizmave të fortë institucionalë për mbrojtjen e proceseve zgjedhore. Tarran përgëzoi SPAK-un për nismën dhe përkushtimin për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore.

Drejtuesi Dumani falënderoi OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe shtoi se pajisjet do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të prokurorëve të posaçëm dhe hetuesve në evidentimin në kohë dhe ndjekjen efektive të krimeve zgjedhore.  Dhurimi i pajisjeve u bë i mundur si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia”, thuhet në postimin në faqen zyrtare të OSBE.

Tv Klan