Përqendrimi i pronësisë së medias ndikon tek liria e shprehjes

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka kritikuar qeverinë shqiptare në lidhje me zbatimin e ligjit për mediat audiovizive, përsa i përket shpërndarjes së licencave dixhitale në pak duar.

Shefja e Njësisë për Zhvillimin e Medias në Prezencën e OSBE-së në vendin tonë e shprehu hapur shqetësimin në Komisionin Parlamentar të Medias, teksa tha se përqendrimi i pronësisë së mediave është shndërruar në një problem për tregun mediatik dhe ndikon drejtpërdrejtë në lirinë e shprehjes.

“Është koha që të përqendrohemi jo vetëm tek paketa antishpifje, por dhe në atë që është kthyer në problem dhe që është përqendrimi i pronësisë se mediave, sepse kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me lirinë e shprehjes. Besoj se të gjithë e kemi lexuar raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet e 30 Qershorit ku është vënë në dukje dhe çështja e pronësisë tejet e përqendruar e mediave”.

Në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 Qershorit, këtij problemi iu dedikua një hapësirë e veçantë.

Në konkluzionet përfundimtare, OSBE/ODIHR kërkoi që ligji për median audiovizive të ndryshohet, për të kufizuar në mënyrë efikase përqendrimin e pronësisë së medias në sektorin e transmetimit.

Por ky rekomandim nuk është marrë në konsideratë nga qeveria shqiptare, e cila ndërkohë ka propozuar rishikim të ligjit të medias. Qeveria ka propozuar amendimin e neneve të veçanta si pjesë e paketës antishpifje, por pa adresuar shqetësimin për përqendrimin e pronësisë së licencave dixhitale, që OSBE i kujton se është një problem real për lirinë e shprehjes.

Tv Klan