Misioni vëzhgues i procesit zgjedhor në vend nga OSBE-ODIHR ka dalë me një raport.

Sipas këtij raporti të prezantuar fillimisht nga Koordinatore e posaçme e vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së Farah Karimi, zgjedhjet ishin konkurruese, por klima politike në vend ishte e polarizuar.

Karimi shprehet se në vija të përgjithshme procesi zgjedhor u administrua mirë. Kritikë pati për qeverinë në pushtet duke u shprehur se përdori burimet administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë kundrejt kundërshtarëve politikë.

“Zgjedhjet parlamentare të 2025 ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale. Ato ndodhen në një klimë tejet të polarizuar e kandidatët nuk patën mundësi të barabarta. Megjithatë, kandidatët në përgjithësi patën mundësinë të bënin një fushatë të lirshme, megjithëse disa prej tyre raportuan se kishin raste intimidimi. Administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Votimi nga jashtë vendit, i futur për herë të parë në Shqipëri, u menaxhua mirë pavarësish marrëveshjes politike të arritur me vonesë dhe miratimit me vonesë të kësaj iniciative dhe disa problemeve organizative.

Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar kështu një avantazh të padrejtë. Pamë gjithashtu e disa raste për pretendime presionesh ndaj zgjedhësve sidomos nënpunësve të administratës publike. Përveç kësaj, legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga administrata zgjedhore nuk parandaloi abuzimin.

Përqëndrimi i pronësisë së medias minoi pluralizmin e burimeve informative dhe krijoi autocensurë mes gazetarëve dhe 2 partive kryesore ishin ato që dominuan burimin e lajmeve, duke ua bërë të pamundur zgjedhësve të bënin një zgjedhje të mirë informuar.

Gjithashtu pati edhe një mungesë të autoritetetit për të monitoruar fushatat zgjedhore online”, u raportua nga Karimi.

Ndërsa për SPAK, u raportua se kishte një rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor. Karimi u shpreh se misioni ndërkombëtar është i gatshëm për bashkëpunim me Parlamentin shqiptar e me forcat e tjera politike.

“SPAK-u luajti një rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor. Ashtu si mekanizmi i ri mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ mundësuan një shkëmbim më të mirë informacioni, u pa se pati një efekt të mundshëm frenimi. Dhe si përfundim më lejoni t’ju siguroj se nga ana jonë jemi të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtësisht me Parlamentin që do të zgjidhet dhe me të gjitha forcat politike dhe aktorët e tjerë të interesuar për interesin më të mirë të popullit shqiptar”, u tha nga koordinatorja Karimi.

/tvklan.al