Ambasadorja amerikane Yuri Kim takim me Gramoz Ruçin

Kreu i zyrës së OSBE në Tiranë, disa ditë pas rifillimit të punës për reformën zgjedhore nga këshilli politik, ka dalë me një deklaratë përgëzuese.

Bernd Borchardt thotë se “OSBE po ndjek me interes të veçantë përpjekjet e partive për kompromis për çështjet të cilat OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si problematike për shumë vjet siç janë: depolitizimi i administratës zgjedhore, balanca gjinore në listat zgjedhore, ngritja e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, mekanizma më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrolli dhe transparenca e financimit të fushatës, transparenca e medias gjatë zgjedhjeve dhe dhënia fund e praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme”.

Por ai tërheq vëmendjen që kjo reformë të mos dobësojë tërësinë e reformave të tjera të rëndësishme për vendin.

Çështje të tjera për të cilat prezenca e OSBE dhe ODIHR ofrohen të japin kontributin e tyre për përmbylljen e marrëveshjes brenda 31 Majit është dhe procesi i dialogut për teknologjitë e reja të votimit dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Ky i fundit në fakt nuk duket të jetë fare aktualisht në axhendën e dy partive të mëdha PD dhe PS, pasi siç thonë ekspertët e palëve, kërkon më shumë kohë dhe ndërhyrje në Kushtetutë.

Reforma zgjedhore ka qenë në fokus të takimit dhe mes kryeparlamentarit Ruçi dhe ambasadores së SHBA, të zhvilluar mesditën e kësaj të enjte.

Ruçi dhe Kim kanë diskutuar dhe për reformën në drejtësi, siç njofton Kuvendi, temë të cilën diplomatja e ka konsumuar dhe me kreun e Komisionit të Ligjeve po gjatë kësaj dite.

Ndërhyrjen për të riparë reformën në drejtësi e ka artikuluar javët e fundit me forcë Presidenti Meta.

Tv Klan