Lajme Arkiva – TV Klan 2000

OSBE ka shpallur mbrëmë në Prishtinë rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme lokale të së shtunës. Pas numërimit të 90% të votave, fituese është shpallur Lidhja Demokratike e Kosovës, së Ibrahim Rugovës, që ka fituar rreth 58% të votave. Pas saj renditet PDK e Hashim Thaçit, që ka fituar 27% të votave dhe e treta renditet AAK e Ramush Haradinaj, e cila ka arritur të sigurojë rreth 8% të votave.

Dje gjatë konferencës së parë për shtyp, pas zgjedhjeve të 28 Tetorit, Thaçi deklaroi se partia e tij e njeh rezultatin e zgjedhjeve, megjithatë lider të tjerë të kësaj partie i thanë gazetarëve, se LDK ka manipuluar rezultatin e zgjedhjeve. Vetë Rugova është shprehur i kënaqur me rezultatin e arritur në zgjedhjet e para të lira e demokratike në Kosovë, duke e konsideruar rezultatin si një besim të kosovarëve tek alternativa e partisë së tij.

Komuniteti ndërkombëtar më shumë se rezultatet e shpallura mbrëmë, ka vazhduar të përshëndes, mënyrën dinjitoze të zhvillimit të këtij procesi. Humbja e Thaçit nuk është konsideruar si e tillë, nga faktori i politikës në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti