Emision “Stop” këtë të enjte ka udhëtuar drejt qytetit të Fierit pas problemit të ngritur nga familja Salillari. Në vitin 2013, familja Salillari në Fier, u bë përfituese e një banese sociale, sipas një kontrate me Entin e Banesave Bashkia Fier, me afat shlyerje 25 vjet. Prej disa muajsh OSHEE Fier, ndërpret furnizimin me energji për këtë familje, me arsyetimin, se banesa rezulton debitore prej rreth 5 milionë lekësh.

Mikel Salillari tregon, se familja ka qenë dhe është e rregullt në pagesa. Ka qenë një tjetër qytetar, që jetonte më parë në këtë banesë sociale, i cili nuk paguante detyrimet ndaj Entit dhe pas proceseve gjyqësore doli nga shtëpia. Edhe pse pa asnjë faj, OSHEE Fier, për shkak të debisë, lë pa energji familjen në fjalë.

Qytetari shprehet për “Stop” se ka shkuar në të gjitha institucionet, por nuk ka marrë zgjidhje, ndaj kërkon ndihmë. Pas ankesës së familjes Salliari. “Stop” iu drejtua Entit të Banesave Fier dhe drejtoresha tha, se kjo është përgjegjësi e OSHEE-së, që duhet t’i japë zgjidhje qytetarit.

Duhet ta zgjidhë këtë problem vetëm furnitori i vetëm në Shqipëri që është OSHEE. Familja konsumatore, është një familje tjetër dhe furnizimi për këtë familje ka qenë shumë i rregullt. Ne nuk kemi dijeni për debitë tona, por jo për debitë që mund të kenë në institucione të tjera. Ne përgjigjemi vetëm për banesat për strehimin”, thotë zyrtarja e Entit të Banesave..

Pas kësaj përgjigje “Stop” shkon për të marrë një përgjigje dhe te Kujdesi i Klientit pranë OSHEE-së, Fier, ku punonjësja thotë, se OSHEE nuk njeh, se kush person është në atë shtëpi, por merret vetëm me faktin, se kjo kontratë ka një debi të pashlyer.

Gazetari: Besoj, se ju jeni të njohur me problemin e tij?

Punonjësja: Po, jemi të njohur. Zotëria erdhi para disa ditësh. Pasi ne folëm edhe me shefat tanë, zotëria ka një banesë sociale. OSHEE ka një kontratë debitore. Në momentin, që kjo kontratë është debitore, OSHEE nuk njeh se kush person është në atë shtëpi. Ju lutem, në qoftë se ju do të bëni një marrëveshje me ne, që të vazhdojmë, sepse energjia nuk mund të lidhet, nëse nuk lidhet një akt-marrëveshje.

Gazetari: Akt-marrëveshje, si? Me çfarë kushtesh?

Punonjësja: Me këste.

Gazetari: Për të paguar çfarë?

Punonjësja: Për detyrimin e mbetur.

Gazetari: Për detyrimin e mbetur të kujt? Duhet të ketë një grup pune, që të verifikojë mbi bazën e dokumenteve. Nuk funksionon kështu? S’mund të vejë tekniku, të presë rrjetin elektrik atje dhe atë ta lërë kaq ditë e kaq javë pa energji. Një zgjidhje duhet të ketë patjetër. Zotëria nuk pranon të paguajë këstet e prapambetura të debisë.

Punonjësja: Zotërisë, atë ditë, i kemi ofruar opsionin për të aplikuar për një lidhje të re. Zotëria tha nuk i bëj, se këto kanë kosto. Tani, o njërën, o tjetrën duhet ta zgjedhë!

Qytetari: Jo jo! Nuk i bëj, se nuk më dha Ok!, zyra juridike e elektrikut. Juristi i elektrikut Fier thoshte, se nuk hapim kontratë, se ka debi. Kjo nuk është e vërtetë. Akt-marrëveshja do të thotë, që unë duhet të paguaj debinë në një shtëpi, ku unë nuk kam banuar kurrë.

Punonjësja: Atëherë, unë fola me shefin dhe më tha, se duhet të shkojë te teknika, ku janë prerë dritat dhe të merrni të dhënat atje./tvklan.al