Karakaçi: Punonjësit e terrenit kanë rritjen më të madhe të pagave

Mungesa e fuqisë punëtore në Shqipëri vërehet edhe në sektorin e energjisë. Administratori i OSHEE thotë se nevojat më të mëdha janë për elektricistë, prandaj dhe aktualisht kërkojnë rreth 300 të tillë.

Enea Karakaçi, Administrator i OSHEE: Sigurisht që nevojë për punonjës terreni dhe sidomos elektricistë, ka në gjithë Shqipërinë. Ka një mungesë sidomos në zonat rurale.

Për të plotësuar këto nevoja OSHEE vendosi që për rritjen e pagave të mos presë vitin e ardhshëm kur edhe do të bëhen për të gjithë administratën, por t’i rrisë ato për punonjësit nga 1 Nëntori i këtij viti.

Enea Karakaçi: Ne jemi përpjekur që punonjësit e terrenit, që kanë gatishmërinë më të lartë të kenë dhe rritjen më domethënëse. Janë rreth 3 mijë punonjës që kanë rritje me 30%.

E gjitha kjo edhe për t’u bërë sa më konkurrues në treg.

Enea Karakaçi: Është e nevojshme që dhe punonjësit të kenë paga konkurruese në treg, sidomos në kushtet aktuale ku ne kemi parë që pagat në sektorin publik kanë filluar rritjen e tyre.

OSHEE kërkon po ashtu punonjës të kualifikuar, si inxhinier elektrik, juristë, ekonomistë apo dhe punonjës të IT.

Tv Klan