Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike, OSHEE, është në situatë të vështirë financiare, një fakt ky qe e pranon vetë kompania zyrtarisht.

Televizioni Klan ka siguruar një letër që administratori Ardian Çela ka dërguar pranë ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes së cilës kërkon vëmendje për gjendjen ekonomike që ka OSHEE.

Në shkresë sqarohet se thatësira e vitit 2017, e shoqëruar edhe me një prodhim të jashtëzakonshëm të hidrocentraleve private, ka shkaktuar vështirësi të mëdha të likuiditetit të kompanisë.

OSHEE është e detyruar me ligj të blejnë prodhimin e hidrocentraleve, por ndryshe nga çmimi që i merret energjia KESH-it me 11 euro për Megavatorë, HEC-et e vegjël kanë një çmim prej 65 euro për megavat.

OSHEE thotë në letrën e nisur një javë më parë se e ka të pamundur që të përballojë disa pagesa me fondet e veta.

Bëhet fjalë për faturat e investimeve dhe materialeve në vlerën e 6.8 miliard lekëve, të cilat datojnë që në vitin 2017 dhe ku janë tejkaluar të gjithë afatet kontraktuale, pagesën e këstit të radhës e të fundit ndaj CEZ në vlerën e 21 milionë eurove në korrik të këtij viti dhe pagesën prej 700 milionë lekë në Tetor ndaj KESH-it.

Kompania e shpërndarjes kërkon një shtyrje të pagesës në masën e 1.8 miliard lekëve që duhet të bëjë ndaj KESH për në fund të këtij viti, kohë ku argumenton që edhe Korporata Elektroenergjitike do të ketë nevojë për më shumë likuiditet.

Në dy vitet, 2015 dhe 2016 OSHEE ka arritur të sigurojë fitime në vlerën e 33 miliard lekëve, ndërsa vitin e fundit rezultoi me një humbje të vogël prej 500 milion lekësh.

Tv Klan