Gëzim Sulejmani është një tjetër rast që emisioni “Historia Ime” e risjell në vëmendje. Problemi i tij me OSHEE-në dhe institucionet që nuk i jepnin zgjidhje përfundimtare gjeti një alternativë të përgjysmuar.

Gëzimi është përpjekur sërish të zgjidhë çështjen dhe të nisë faturimin normal, por ndërsa ka paguar për sahatin aktual, OSHEE-ja nuk e ka rimbursuar për të gjitha pagesat e mëparshme.

Madje, për njërin nga sahatet, OSHEE i ka thënë se Gëzimi kishte paguar në emër të pronares së vjetër, por në të vërtetë z.Sulejmani ka paguar në emrin e tij dhe nuk i kanë dhënë asnjë arsye përse ai nuk është rimbursuar për pagesat e tepërta.

Emisioni ka vendosur të kontaktojë sërish OSHEE-në për të marrë një sqarim lidhur me këtë si edhe me çështjen pse sahati i vendosur aktualisht nuk ndodhet në katin e apartamentit të Gëzimit.

Gëzimi tregon se loja e institucioneve e ka lodhur pasi ka rreth 4 vjet që përpiqet ta zgjidhë dhe ka hasur shpesh mungesë respekti dhe neglizhencë të vazhdueshme. /tvklan.al