“Komunikimi metoda më e mirë për tejkalimin e dallimeve me Bullgarinë”

Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani thotë se nuk dëshiron të jetë pesimist në lidhje me pengesat më të reja nga ana e Bullgarisë fqinje në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar edhe një herë se dialogu politik dhe ai i ekspertëve për çështjet historike duhet të ecin në drejtime të ndara dhe të mos bllokohen në mes veti. Majlinda Bregu, sekretarja e përgjithshme e Këshillit rajonal për bashkëpunim, organizatë me seli në Sarajavë, në konferencën e përbashkët për shtyp me Osmanin, shprehu optimizëm se Bullgaria edhe më tej do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën e tyre evropiane.

Që të arrihet një nga qëllimet kryesore të Këshillit rajonal për bashkëpunim në Evropën jug-lindore, posaçërisht në momente krize, siç është pandemia aktuale, është i nevojshëm përmirësimi i klimës ekonomike dhe evropezimi, me çka do të ndalohet vala e shpërnguljes së të rinjve. Problemet e reja të hapura, sikurse për momentin para Maqedonisë së Veriut imponohet nga Bullgaria fqinje, sipas Sekretares së Përgjithshme të Organizatës, Majlinda Bregu, duhet të zgjidhen. Ajo është optimiste për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.

Edhe më tej besoj se Bullgaria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e procesit euro-integrues të të dyja vendeve. Jo vetëm për shkak të faktit që deri më tani ka dhënë mbështetje, por edhe për shkak se Bullgaria ka kujtime më të freskëta të procesit të tyre euro-integrues. Shpresoj shumë që Samiti i Sofjes do të jetë moment i mirë që të hapet rrugë për zgjidhjen e problemeve që i theksuat dhe ministri u përgjigj“, thotë Bregu.

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit perëndimor do të takohen më 10 nëntor në Sofje, në kuadër të Procesit të Berlinit, takim i cili për herë të parë së bashku me një vend anëtar të BE-së, do të kryesojë edhe një vend kandidat, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Përgatitjet, sipas Ministrit të jashtëm, shkojnë në mënyrë shumë profesionale përkundër memorandumit të dërguar nga Sofja të me të cilin kushtëzohen negociatat aderuese me Shkupin me kontestimin e gjuhës dhe identitetit maqedonas.

Këto janë çështje që dalin nga e drejta e qytetarëve për vetëpërcaktim dhe jo rastësisht janë të përcaktuara në Marrëveshjen e Prespës, ato janë të mbyllura dhe të vërtetuara me atë marrëveshje që është ndihmuar nga Kombet e Bashkuara, ka mbështetje ndërkombëtare dhe është e pranuar. Në këtë drejtim do të gjejmë zgjidhje për këtë situatë, mënyra e vetme është intensifikimi i punës, ndarja e trajektoreve, e para ku ekspertët do të gjejnë zgjidhje për historinë, ndërsa politikanët të gjejnën mënyrë për bashkëpunim. Nuk i jap përparësi asnjërës nga trajektore, por ato nuk duhet të ngatërrohen. Sepse i pengojnë dinamikës së njëra-tjetrës“, shprehet Osmani.

Osmani beson se me përmirësimin e komunikimit me Sofjen, për çka do të shërbejë edhe organizimi i përbashkët i samitit në nëntor, do të tejkalohen dallimet të cilat sipas tij nuk dalin nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë, e nënshkruar para tre viteve. Me Bregun, në mes tjerash, kanë biseduar edhe për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare në Ballkan dhe kalim të lehtësuar të kufijve, për të ashtuquajturin Mini-Shengen, por edhe për përshpejtimin e digjitalizimit të planifikuar të rajonit, posaçërisht tani në kushte të pandemisë, kur nevoja u shndërrua në diçka të patjetërsueshme.

Klan Macedonia