Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ajo çfarë ndodhi dje në mbledhjen e KQZ-së, ku nuk u certifikuan listat e Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës, është e paprecedentë. Ajo deklaroi se ky zhvillim e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së.

“Ajo çfarë kemi parë dje në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë e paprecedentë, e pahijshme dhe rrjedhimisht e papranueshme për një institucion që duhet doemos ta ruajë integritetin e tij”.

“Si ushtruese e detyrës së presidentes kam obligim, në bazë të Kushtetutës, që të siguroj funksionimin kushtetues të institucioneve të Kosovës. Para syve të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në transmetim të drejtpërdrejtë në televizion, dje u bë presion marramendës ndaj Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, si dhe u tolerua dhe u ushtrua presion dhe kërcënime ndaj udhëheqësit të kësaj zyre. Kjo zyrë vepron si e pavarur politikisht dhe rekomandimet e të cilës i drejtohen KQZ-së për vendime kolegjiale”.

“Të gjithë anëtarët e KQZ-së japin betim, përmbajtja e të cilit kërkon që anëtarët t’i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të ndershme, të paanshme, ritheksoj të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme. Një obligim i tillë është në veçanti i rëndësishëm për kryetaren e KQZ-së [Valdete Daka] e cila nuk përfaqëson asnjë parti politike, por emërohet pikërisht për të mbrojtur paanshmërinë dhe ndershmërinë e këtij procesi. Detyrë edhe më e rëndësishme e saj është mbrojtja e integritetit të procesit zgjedhor”.

“Ajo çfarë ka ngjarë dje e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së. Por, e kemi detyrë që me çdo kusht ta shpëtojmë këtë proces, prandaj në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të biem në kurthet që ndërtohen me qëllim që ky proces zgjedhor të parandalohet dhe të stërzgjatet. Zgjedhjet duhet dhe do të mbahen më 14 shkurt. Qytetarët duhet të lejohen të realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të votojnë për këdo që ata e përkrahin”.

Osmani, në një prononcim nga Presidenca në Facebook, ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa nëse ndodh një situatë si ajo e djeshmja ku sipas saj me KQZ-në është abuzuar për të shtyre agjenda partiake.

“Në rast se ballafaqohemi sërish me situata të tilla sikur ajo e djeshmja, ku abuzohet me KQZ-në si institucion i pavarur për të shtyrë përpara agjenda partiake dhe forum ku ushtrohet presion mbi shërbyesit civilë, do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe këtij procesi zgjedhor, ashtu siç e parasheh Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ashtu siç më detyron Kushtetuta e vendit. Mbajtja e zgjedhjeve të lira është parakusht i funksionimit demokratik të një vendi, prandaj këtë test të demokracisë duhet të kalojmë të gjithë së bashku me besim dhe maturi”.

“Gjatë këtyre muajve në presidencë, unë e kam bërë të pamundurën që KQZ-së t’i ofrojmë gjithë përkrahjen e nevojshme në mënyrë që ky proces të realizohet pa asnjë pengesë dhe presion. Madje, kam kërkuar edhe nga të gjitha shtetet mike që të ofrojnë një përkrahje të tillë. Abuzimi i kësaj përkrahjeje për të shërbyer agjenda të pastra politike nuk mund të tolerohet nga askush, sidomos kur ligji qartë kërkon paanshmëri të plotë. I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që pavarësisht asaj që ka ngjarë dje ta ruajnë maturinë dhe qetësinë në mënyrë që të gjithë së bashku ta mbrojmë integritetin e procesit zgjedhor dhe të sigurohemi që zgjedhjet të mbahen më 14 shkurt”./klankosova