Dimitrov: Bllokimi nga Bullgaria, goditje e madhe

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka pak besim që këtë javë, në Takimin e Ministrave dhe takimin e liderëve të vendeve anëtare të BE-së të hapet cështja e zgjerimit ose miratimi i kornizës negociuese që është bllokuar nga Bullgaria.

Duke komentuar iniciativat e eurodeputetëve për dhënien e “dritës jeshile” për Maqedoninë e Veriut, tha se jo vetëm eurodeputetët, por të 26 vendet anëtare të BE-së janë pro hapjes së negociatave dhe për këtë shkak, duhet të vazhdojë dialogu me Sofjen, e cila, sipas tij, qartazi bëri të ditur se nuk pretendon cështjet për identitetin.

“Maqedonia e Veriut ka kryer të gjitha detyrat e shtëpisë të kërkuara nga BE-ja dhe nëse ka pasur ndonjë dosje të pastër, e cila ka merituar fillimin e bisedimeve ka qenë RMV-ja. Por, kjo nuk duhet të na fut neve në një situatë dëshprimi, meqë rrugëtimi evropian, në parim, është rrugëtim i ngarkuar me shumë pengesa. Kemi pasur pengesa dhe do të kemi pengesa”, tha Osmani.

Zv/Kryeministri për Cështje Evropiane, Nikola Dimitrov, bllokimin bullgar e ka vlerësuar si një goditje të madhe për politikën evropiane ndaj Ballkanit.

“Së pari për shkak se vendimi i Marsit për fillimin e negociatave aderuese ishte i pakushtëzuar. Së dyti, nga shumë anë vinin zëra se ne kemi përfunduar punën tonë dhe duhet t`i fillojmë negociatat. Duhet t`i shmangemi këtij kurthi dhe të mos zhgënjehemi në ndonjë pritje tjetër, që kjo mos të shndërrohet në disfatë. Ta shfrytëzojmë këtë kohë që të punojmë”, tha Dimitrov.

Osmani dhe Dimitrov bënë të ditur se ka një vullnet të mirë te shumë vende anëtare të BE-së që të ndihmojnë evropeizimin e vendit dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë, atëherë kur Evropa do të arrijë t`i bind anëtarët e saj që t`i respektojnë vlerat e tyre.

Klan Macedonia