Ndryshimet kushtetuese duhet sa më shpejt të bëhen temë në Parlament. Apeloj për konsensus shtetëror lidhur me çështjet evropiane dhe për arritje të marrëveshjes midis të gjithë partive politike se për çështjet evropiane, kushdo që të jetë në pushtet nuk do të kemi dallime“, tha sot ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Skriningu zhvillohet pozitivisht, edhe pse ende nuk kemi përgjigje zyrtare, por reagimet e para janë pozitive, kështu vlerson shefi i diplomacisë në vend Bujar Osmani sipas tij, për çështje evropiane nuk duhet të ketë dallime nga cila do parti politike që të jetë në pushtet.

“Unë mendoj se duhet të ndodhë sa më shpejt që është e mundur dhe bëjmë thirrje edhe një herë për konsensus të tillë shtetëror në raport me çështjet evropiane dhe arritjen e marrëveshjes në mes partive politike se për çështjet evropiane, kushdo që të jetë në pushtet, nuk do të kemi dallime. Sepse edhe nuk mund të kemi dallime, sepse rregulloret dhe direktivat janë ato, kushdo që të jetë në pushtet do të duhet t’i zbatojë. A është LSDM-ja në pushtet, BDI-ja ose VMRO-ja, kush dëshiron le të jetë, nuk ka mundësi që diçka të ndryshojë në pjesën e negociatave me BE-në. Ne jemi të gatshëm të mos fitojmë asnjë pikë politike, lëvdata për atë proces, sepse ai është i përbashkët. Këtu kanë dhënë kontribut të gjitha partitë politike”, tha Bujar Osmani.

Sipas Osmanit ndryshimet kushtetuese duhet të kalojnë deri në nëntor të viti 2023 dhe për këtë duhet konsensus i përbashkët nga të gjithë partitë politike.

”Ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të vitit 2023 duhet të përfundojnë. Në qoftë se nuk do të përfundojnë do të kemi një vakum në proces, humbje të momentit politik. Shpesh e marr këtë shembull – më e rëndësishmja në procesin evropian është të mos e humbim momentin. Në Mal të Zi humbet ai moment për shkak të trazirave të brendshme politike, është shumë e vështirë të ktheheni pas. Ne nuk guxojmë ta ndërpresim këtë dinamikë duke pasur parasysh se procesi i ndryshimeve kushtetuese zgjat disa muaj, votimi i parë, i dytë, i tretë. Mendoj se pas Vitit të Ri ne seriozisht duhet të hyjmë në pjesën zyrtare të procesit”, tha Bujar Osmani.

Për kontestin me Bullgarinë, Osmani vlerësoi se marrëdhëniet po zhvillohen brenda pritshmërive. Ndërkaq, apeloi që të injorohen provokimet që vijnë nga Bullgaria për shkak se siç tha ai, ataa nuk pasqyrojnë asnjë imazh pozitiv për vendin dhe shoqërinë e tyre.

Klan Macedonia