Presidentja në detyrë e vendit, Vjosa Osmani, ka folur sot pas takimit që zhvilloi me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Osmani ka thënë se tashmë duhet të ketë një qasje të re sa i përket çështjes së negociatave, ndërsa përsëriti qëndrimin e saj se në këto diskutime, duhen respektuar vijat e kuqe të Parlamentit të ri, ku siç ka qenë në të kaluarën, nuk ka pse të dialogohet për rregullime kushtetuese apo territore, njofton Klan Kosova.

“E bëra të qartë në emër të institucioneve të Kosovës dhe në veçanti të institucionit që drejtoj, që procesi i dialogut duhet ta ketë një rishikim, që ndër të tjera do të ndihmojë që Republika e Kosovës të jetë e përgatitur. Është shumë me rëndësi që sapo të konstituohen institucionet e reja, zgjedhja e Qeverisë dhe Presidentes, të gjitha këto informata mbi këtë proces, të i drejtohen institucioneve të reja, në mënyrë që të gjitha ato marrëveshje që janë arritur, të shikohen se deri ku kemi arritur me zbatimin e tyre dhe cilat janë pjesët që nuk janë zbatuar, por mbi të gjitha këtu, Serbia del që nuk i ka zbatuar shumicën dërmuese të marrëveshjeve”.

“Ne besojmë që duhet të hapet një kapitull i ri në këtë proces, për shkak se duhet të sigurohemi në radhë të parë, që duhet të respektohet në plotni mandati që e marrim nga parlamenti, që nënkupton respektimin e vijave të kuqe, që vendosen nga Parlamenti i ri i Kosovës, të cilat siç kanë qenë edhe në të kaluarën, nuk lejojmë që të negociohet territori i Kosovës, apo rregullimi ynë kushtetues dhe që sovranitetit të bëhet pjesë e këtij procesi. Sepse Kosova e ka përmbyllur statusin e saj, më 17 Shkurt 2008 njëherë e përgjithmonë, ndaj dhe nuk ka pse të negociohet statusi i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, prandaj presim që ky proces të përfundojë me njohje nga Serbia, me kufijtë tanë aktual”, tha Osmani./klankosova