“Nuk tërhiqemi nga ideja e Kryeministrit shqiptar”

“Për momentin Bashkimi Demokratik për Integrim, më shumë se çdo parti tjetër, ka kapacitetin për të krijuar koalicionin qeverisës me Kryeministër shqiptar”.

Kështu ka deklaruar për Klan Macedonia, Bujar Osmani, zëdhënësi i integristëve. Duke folur në emisionin Klan Debat, ai tha se vëretjet e opozitës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë përpjekje e liderëve të saj për t’i ikur llogaridhënies për humbjen më zgjedhjet e së mërkurës.

Zëdhënësi i integristëve Bujar Osmani i ka cilësuar si alibi për të arsyetuar humbjen në zgjedhjet e së mërkurës akuzat dhe pretendimet e opozitës shqiptare për manipulim të rezultatit zgjedhor. Duke folur në emisionin Klan Debat të Seladin Xhezairit, zoti Osmani tha se zgjedhjet janë zhvilluar konform standardeve ndërkombëtare dhe në prani të më shumë vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë.

“Në asnjë vendvotim, asnjë përfaqësues i partive politike nuk ka dhënë vërejtje deri në përmbyllje të procesit dhe të gjithë, deri në një, kanë nënshkruar procesverbalet me rezultatet e konfirmuara nga të gjithë duke mos dhënë asnjë vërejtje me shkrim”.

Në këtë vijë, Osmani komentoi edhe kërkesat e opozitës maqedonase dhe shqiptare për rinumërim të votave duke thënë se kjo është përpjekje që lidershipet e tyre t’i shpëtojnë kërkesës për llogaridhënie.

Sa i përket ankthit aktual se kush ka për të krijuar mazhorancën e re parlamentare dhe konform kësaj edhe qeverinë, zëdhënësi i BDI-së tha se kjo ka për të qenë askush tjetër pos partia e tij, duke lënë të kuptohet se llogarit edhe në mbështetjen e partive të tjera shqiptare. Në fakt, Osmani tha se pret që këto të fundit të respektojnë legjitimitetin e dalë nga zgjedhjet dhe që partia fituese të flasë edhe në emër të tyre:

Unë mendoj që kjo është më e shëndoshë për trupin politik shqiptar dhe, më vjen mirë që edhe partitë opozitare shqiptare e kanë konfirmuar të njëjtën gjatë fushatës zgjedhore. Ju e dini, edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, edhe të partive të tjera, kanë thënë se nëse marrin edhe një votë më pak, ata nuk do të tentojnë të bëjnë pazare anësore për të kompromentuar forcën politike të shqiptarëve sikurse ndodhi më 2006-ën. Edhe ne si BDI kemi thënë: Po e morëm një votë më pak, ne as që do të mendojmë të bisedojmë me cilëndo parti politike maqedonase për formimin e qeverisë”.

Duke analizuar gjasat se kujt ka për t’i shkuar kjo për dore, Osmani thotë kanë për të qenë Integristët, madje pa hequr dorë nga kërkesa që Kryeministri të jetë shqiptar. Vërejtjes se kjo ka për të qenë tepër e vështirë, ai i kundërpërgjigjet:

Përgjigja më e mirë do të ishte – pse jo? Më tregoni ju – pse jo, pse ne nuk mund të pretendojmë këtë pozitë, jemi më pak të vlefshëm, nuk dimë, nuk duhet, jemi klas i dytë i qytetarëve, për çfarë arsye”?

– Po nuk i keni numrat!

“Kushtetuta thotë që mandatin e merr ajo parti e cila mund të sigurojë numrat. Unë mendoj që BDI për momentin ka kapacitetin më të madh koalicionues, më të madh se cilado parti tjetër politike, për të siguruar numrat. Unë nuk e di ku e shihni momentin e kushtëzimit. Pse kur LSDM-ja thotë – Zoran Zaevi do të jetë mandatar ose askush tjetër – kjo nuk qenka kushtëzim, pse kur VMRO-DPMNE thotë se – Hristijan Mickoski duhet të jetë mandatar dhe askush tjetër – nuk qenka kushtëzim, por vetëm kur shqiptarët thonë – ne duam të kemi mandatarin – qenka kushtëzim”?

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, BDI të mërkurën siguroi 15 deputetë, koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës – 12, PDSH-ja 1, kurse koalicioni LSDM&Besa ia doli të fitojë 46 mandate, VMRO-DPMNE – 44 dhe partia e majtë ‘Levica’.

Klan Macedonia