Gjatë qëndrimit në Turqi, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borell, me të cilin bisedoi për raportet Kosovë-BE si dhe për dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja.

Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës, bëhet me dije se Osmani ka thënë se lidershipi i ri i vendit ka prioritet reformat e nevojshme për ta çuar përpara procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian dhe në NATO.

“Ne kemi treguar gatishmëri të marrim pjesë në dialog, por në një proces të përgatitur mirë, i cili do të rezultojë me marrëveshje përfundimtare për njohjen e ndërsjellë dhe do ta respektojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, ka thënë Presidentja.

Më tej kryetarja e shtetit ka thënë se faza e re e dialogut, në të cilën po hyjmë duhet të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë të palëve dhe të sigurojë se do t’i përfshijë çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve tanë.

Sipas saj, ofrimi i informatave për personat e zhdukur me dhunë nga ana e Serbisë duhet të trajtohet shumë seriozisht, edhe për të treguar përkushtimin e shtetit serb ndaj synimeve të dialogut, theksohet në njoftimin e Presidencës.

Po ashtu, Presidentja theksoi se Serbia nuk ka zbatuar rreth 2/3 e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Për më tepër, ajo shtoi se diskutimet për ndryshim territoresh janë të rrezikshme, sepse mund ta destabilizojnë tërë rajonin./tvklan.al