Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi,  priti sot Vjosa Osmani, Presidente në detyrë Kryetare  e Kuvendit në Kosovë, e cila ndodhet  për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Vjosa Osmani kërkoi nga kreu i Kuvendit mbështetjet dhe tha se duhet punuar që të kundërshtohen argumentet e Serbisë deri kur të përfundojë procesi i dialogut.

Duhet të tregojmë e ritregojmë të vërtetën e Kosovës. Duhet të punojmë për të kundërshtuar dhe rrëzuar argumentet e Serbisë që të mos njihet Kosova derisa të përfundojë dialogu. Duhet tua bëjmë të qartë të gjithëve se dialogu Kosovë-Serbi nuk është për statusin e Kosovës. Ne vlerësojmë kontributin dhe zërin e Shqipërisë në institucionet dhe mjediset ndërkombëtare ku Kosova nuk është e pranishme”, nënvizoi Vjosa Osmani.

Nga ana tjetër Ruçi gjatë takimit tha se kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos për bashkëpunimin parlamentar.

Kosova po përjeton periudhë zhvillimesh dramatike për të ardhmen  dhe prestigjin ndërkombëtar të saj. Ne vlerësojmë qëndrimin dinjitoz të drejtuesve  të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe gatishmërinë e plotë të tyre për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën e luftës së madhe për shpëtimin e popullit të saj nga krimet monstruoze dhe gjenocidi i Serbisë. Ne nuk duhet të lejojmë që të njolloset imazhi i Kosovës, i luftës së saj çlirimtare dhe i përpjekjeve për t’u ndërtuar, njohur e integruar si shtet i pavarur”, u shpreh Ruçi./tvklan.al