Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim për postin e Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani gjatë një interviste për emisionin Opinion në Tv Klan ka konfirmuar se ndaj tij është tentuar një atentat për eliminim fizik.
Ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar, teksa ai në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së kryente një vizitë në rajonin e Transnistrisë në Moldavi që kontrollohet nga prorusët.
“Në Transnistri kam qenë vitin e kaluar si kryesues i OSBE-së, madje kishte një tentim për atentat. Të nesërmen pas vizitës sime si kryesues i OSBE-së arrestohet një numër i madh i njerëzve që kishin pretenduar sulm ndaj eskortës time, mirëpo e porositur nga Moldavia, me qëllimin për të krijuar tension brenda”.
Ai pretendoi se incidenti vijoi edhe gjatë fluturimit nga Moldavia drejt Maqedonisë së Veriut, kur avioni shtetëror me të cilin udhëtonte u zhduk nga radarët.
“Kishte një incident në avionin tim për në Shkup, ku kishte humbur nga radari dhe nga Moldavia deri në Shkup ne nuk jemi identifikuar nga asnjë radar në tokë, por kemi ndjekur koordinatat. Avioni humbi kontaktin me të gjitha kullat e kontrollit nga Moldavia deri në Shkup dhe ne kemi vënë në dijeni edhe NATO-n”.
Duke folur për garën presidenciale ai e cilësoi kandidaturën e tij si serioze, ndërsa theksoi se kreu i shtetit në Maqedoninë e Veriut duhet të zgjidhet në Kuvend dhe jo në popull siç edhe ndodh deri më tani.
Osmani ka pranuar se gjatë procesit të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka tentativa ndërhyrje jo parimore nga ana e Kosovës dhe në veçanti nga Kryeministri Kurti.
Tv Klan