Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në takimin me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass, kanë diskutuar për tri çështje; sigurimi i vaksinave anti COVID, liberalizimi i vizave, dhe dialogu me Serbinë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Maas ka thënë se Gjermania ka ofruar vazhdimisht mbështetjen e pakusht për dialogun në mes të këtyre vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Lidhur me këtë çështje, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nevojë për rinisje dhe jo vazhdimësi.

“Republika e Kosovës ka ofruar dorën e bashkëpunimit dhe pse për fat të keq Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se autoritetet e Kosovës do të rrisin zërin që të arrihet drejtësi për secilën viktimë të luftës.

Sipas Osmanit, Kosova do të zhvillojë dialog me Serbinë me parime të qarta.

Maas ka thënë se ka dëgjuar parimet e palës së Kosovës në këtë proces dhe se ato do t’ia përcjellë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në dialog, Mirosllav Lajcak./REL