Incidenti gjatë takimit jo formal në krah të Presidentit francez Macron e Kancelarit gjerman Scholz

Nuk ishte aq miqësor sa u shfaq mbrëmjen e së enjten në Moldavi takimi jo formal mes Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Duke folur një ditë më pas, gjatë samitit të dytë të Komunitetit Politik Europian në Kishinau, Osmani tha se Vuçiçi u nervozua dhe gënjeu.

“Pa dyshim, ky takim ndodhi me këmbënguljen e Presidentit francez Macron dhe Kancelarit gjerman Scholz dhe unë u përgjigja pozitivisht pasi ata janë aleatët tanë më të ngushtë. Nuk ishte një takim ndërmjetësues, por ishte një takim jo formal ku ne shkëmbyem pikëpamjet tona. Zoti Vuçiç gjithashtu solli pikëpamjen e tij, ai po grindej dhe ankohej dhe padyshim që nuk tha të vërtetën, një virtyt i tij si ish-ministër i propagandës i Millosheviçit”.

Nga rrëfimi i Osmanit del se kreu i shtetit serb ka bërë sjelljen e zakonshme të viktimizimit para ndërkombëtarëve, pa pranuar asnjë përgjegjësi për atë që po ndodh.

“Unë pata mundësinë ta pyes drejtpërdrejt se a i qëndron ai marrëveshjes që ka arritur me Kosovën. Ai u zotua në Bruksel, por më pas del nga njëra media në tjetrën dhe thotë se nuk do t’i përmbahet. Së dyti i kërkova të largojë ushtrinë përreth kufirit me Kosovën dhe gjithashtu i kërkova të mos mbështesë bandat kriminale që po dëmtojnë qytetarët e zakonshëm serbë. Dhe në fund shpreha gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të zbatuar të gjitha marrëveshjet. Vuçiçi vetëm u nervozua, ai vetëm fyen në gjuhën e tij”.

Takimi i Presidentes Osmani me Macronin dhe Scholzin duket se i qetësoi ndërkombëtarët. Dhe pas kësaj, u njoftuan se Kosovën do ta vizitojnë javën që vjen i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar.

Vizita e tyre, do të ketë dy qëllime kryesore. Qëllimi i parë është gjetja e zgjidhjes për të dalë nga situata e tanishme e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.

Klan News