Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi besimtarët myslimanë me rastin e nisjes së Muajit të Ramazanit.

“Sot, kur besimtarët myslimanë e fillojnë Muajin e Ramazanit, të gjithë do ta kenë mundësinë për të manifestuar shpirtin solidar, duke ndarë diçka nga tryeza e tyre për të tjerët, për njerëzit në nevojë”, tha Osmani.

“Kombi ynë e ka mënyrë jetese solidaritetin mes vete”, theksoi ajo.

Osmani ftoi qytetarët që t’i respekojnë masat kundër koronavirusit, duke mbajtur maskat dhe dezinfektuar duart, si dhe duke mos u grumbulluar.

Muaji i Ramazanit përcillet me agjërim, lutje dhe bamirësi.

Gjatë këtij muaji, myslimanët që praktikojnë fenë, nuk hanë dhe nuk pinë nga lindja deri në perëndim të Diellit.

Ata po ashtu mblidhen për darka dhe falje grupore në xhami, por autoritetet në shumicën e vendeve me shumicë myslimane kanë bërë thirrje për respektimin e distancës fizike, si masë mbrojtëse nga koronavirusi./REL